zoom

Aktualitet

Kushëriri i tij mori hakun/ Klodian Lekstakaj kërkoi të dëshmonte për vrasjet e Nikulajve (SHKRESA)

Klodian Lekstakaj, i cili është në gjak me fisin Nikulaj për vrasjet e ndodhura në vitin 1996, hakun e të cilave e mori Edmond Haxhia duke vrarë Ardjan Nikulajn, kërkoi 7 vite më parë të vinte nga Britania e Madhe në Shqipëri për të dëshmuar.

Sipas një shkrese të publikuar nga “Panorama”, nëna e Klodian Lekstakajt i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që djali i saj të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, porn ë përgjigje, organi i akuzës e ka refuzuar.

Nga Angia, Klodiani i kërkoi drejtësisë shqiptare të zbardhë vrasjet e familjarëve të tij dhe për këtë qëllim, ai ishte i gatshëm të ridëshmonte për ekzekutimin e xhaxhait të tij, Gëzimit, dhe të djalit të hallës, Laurenit.

Klodiani ka dëshmuar edhe në vitet kur ndodhën vrasjet, por sipas përgjigjeve zyrtare të dala nga Prokuroria e Lezhës, nuk figuronte që vrasjet të kenë autorë, ndaj kërkohej rihapja e hetimeve.

Ndaj Klodiani kërkonte pikërisht të dëshmonte edhe njëherë para prokurorisë në lidhje me atë ngjarje, pasi djali, në cilësinë e dëshmitarit të vrasjes së dy njerëzve të tij pretendon se iu ka zhdukur dëshmia.

ARGUMENTIMI I PROKURORISË SË PËRGJITHSHME

Tiranë, më 1.6.2016/Lënda: Kthim përgjigje. Drejtuar: Shtetases Lena Lekstakaj.

E nderuar znj. Lekstakaj,

Pasi u njohëm me kërkesën tuaj, drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet së cilës kërkoni marrjen ë masave të posaçme të mbrojtjes ndaj djalit tuaj, Klodian Lekstakaj, si dëshmitar i ngjarjeve të vitit 1997 e në vijim, ku janë vrarë të afërmit tuaj ju bëjmë me dije se: Ashtu sikurse kemi sqaruar dhe djalin tuaj, në bazë të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009, “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtoreve të drejtësisë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, organi i prokurorisë investohet për marrjen e masave mbrojtëse dhe futjen në programin e mbrojtjes të personave që ndjehen të kërcënuar, vetëm për rastet kur plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në këtë ligj.

Ligji i sipërpërmendur rregullon marrjen në mbrojte të personave që janë dëshmitar apo bashkëpunëtor të drejtësisë në një procedim penal të filluar nga prokuroria dhe përcakton kushtet e kriteret që duhet të plotësojë personi që kërkon të futet në programin e mbrojtjes. Në bazë të ligjit të sipërcituar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të ligjit, për futjen e një dëshmitari në programin e mbrojtjes, Prokurori i Përgjithshëm vihet në lëvizje nga prokurori që ka ndjekur apo ndjek çështjen dhe drejtuesi i prokurorisë ku është regjistruar procedimi penal. Janë këta të fundit, që kur çmojnë se situata e rrezikut është aktuale, konkrete dhe serioze, i përcjell aktet Prokurorit të Përgjithshëm, duke i kërkuar që të propozojë pranimin në programin e mbrojtjes së dëshmitarit. Në zbatim të këtyre akteve ligjore, kërkesa juaj ju përcoll për vlerësim Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, e cila ka hetuar ngjarjen për të cilat bëni fjalë në kërkesën tuaj.

PROPOZIMI

Nga verifikimet e kryera nga kjo prokurori dhe nga ana jonë rezulton se në rastin konkret nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, pasi në hetimin e procedimit penal nr. 150 të vitit 1997 së Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, i cili ka të bëjë me vrasjen e shtetasve Gëzim Ded Lekstakaj e Loren Ndoc Gjetja, ku djali juaj është pyetur si person që tregon rrethana të hetimit, nuk ka deklaruar ndonjë të dhënë që përbën provë vendimtare për zbulimin dhe dënimin e autorëve të kësaj ngjarje, në kuptim të ligjit të sipërpërmendur.

Në mungesë të kushteve të parashikuar në ligj, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të propozojë pranimin e djalit tuaj në programin e mbrojtjes. Ju sqarojë se në qoftë se dispononi të dhëna apo prova të reja që hedhin dritë dhe shërbejnë për të provuar akuzat tuaja ndaj autorëve të vrasjeve së të afërmeve tuaj, mund t`i paraqisni ato në çdo kohë pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, drejtuesi i së cilës u porosit nga ana jonë që bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, të marrin të gjitha masat për sigurinë tuaj në rast se do të ktheheni në Shqipëri për të dhënë dëshmi.

Gjithashtu, në kushtet kur ndaj jush nuk mund të aplikohen masat e posaçme të mbrojtjes të parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve së drejtësisë”, në vlerësim të shqetësimit të paraqitur prej jush, ju sugjerojmë t`i drejtoheni Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë të Qarkut Lezhë, duke kërkuar prej tyre që në zbatim të detyrave kushtetuese për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe në përputhje me detyrimet që parashikon ligji “Për Policinë e Shtetit”, të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës tuaj dhe pjesëtarëve të familjes tuaj.

Adnan Xholi, drejtor!