zoom

Politikë

Kurti tregon arsyet pse nuk u takua me Vuçiç në Bruksel: Tre kushtet që parashtrova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve në Bruksel në një konferencë për media tregoi se takimi trepalësh nuk është realizuar sepse Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes bazike e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar nga aneksi i zbatimit që është pjesë integrale, nga 18 marsi i viti 2023.

Ashtu siç konfirmoi shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

E  një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Kurti.

“Konsiderojmë se Marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjes së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha Kurti.

Duke folur për arsyet e dështimit të takimit bilateral Kurti tha se nga takimi i 14shtatorit ka ndodhur shumëçka.

Ai përmendi tri garancionet që i ka kërkuar në këtë takim.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar”.

“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiç sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiçit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiçin”, tha Kurti.

Ndërsa, Borrell pas takimeve me Kutin e Vuçiçin tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa “presidenti Vuçiç la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.

Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.

“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.

Paraprakisht, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç gjatë një deklarimi për mediat.

Vuçiç tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiç kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiçin”.

“Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiç tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.

Paraprakisht, Vuçiç përmes një postimi në Instagram deklaroi se në takim ka insistuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiç. /Telegrafi/