Aplikacion
Në fillim të këtij muaji, qeveria e Kosovës pësoi një sulm kibernetik i cili çaktivizoi faqet zyrtare të ekzekutivit për rreth një orë. Pas kësaj, Qeveria tha se prapa sulmit qëndrojnë hakerat rusë.
Në intervistën për median britanike, Kurti akuzoi gjithashtu dy vendet se po bashkëpunojnë edhe në fushata dezinformuese dhe sulme kibernetike kundër vendeve të Ballkanit.
“Rusia po punon me Serbinë në fushata dezinformuese dhe sulme kibernetike kundër vendeve ballkanike që po mbështesin Ukrainën, ka paralajmëruar kryeministri kosovar”, thuhet në artikullin e “The Times”.
Ai akuzoi shtetin serb se sillet si një Rusi e vogël në Ballkan. “Në Ballkan kemi një Rusi të vogël, që është Serbia”, ka thënë ai.
Mbështetja e Serbisë për Rusinë në luftën kundër Ukrainës dhe shfaqja e simboleve Z në veri dëshmojnë aktivitetin pro-rus të Serbisë, sipas Kurtit.
“Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Serbia menjëherë ishte në anën e tyre. Të nesërmen në mëngjes, tabloidët serbë po pretendonin se Ukraina kishte sulmuar Rusinë. Ata po tregojnë mbështetje me flamujt rusë dhe shenjën Z, të cilët janë shfaqur edhe në veri të Kosovës”, deklaroi Kurti.
Kurti foli edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të vitit të kaluar për të cilin tha se u bë me qëllim që “të shkaktonte një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë kosovare brenda manastirit ortodoks serb, dhe më pas ta cilësonte atë si një sulm fetar.”
Kreu i ekzekutivit kosovar akuzoi mediat serbe për lajme të rreme në lidhje me ngjarjet në vëri kundër tij dhe ministrit Nenad Rashiç.
“Sasia e lajmeve të rreme nga veriu është e paprecedentë. Është e madhe”, tha Kurti. “Kundër meje në veçanti por edhe kundër Nenad Rashiçit (ministri për Komunitete dhe Kthim, i cili është serb etnik). Objektivi i tyre kryesor janë serbët që integrohen në Kosovë”, tha ai.