Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski, ka përsëritur se emri kushtetues i vendit (Maqedonia e Veriut) do të përdoret në komunikimin zyrtar ndërmjet institucioneve të shtetit, por, siç tha ai, në deklaratat e tij, do ta quajë vendin “Maqedoni”.
“Gjithçka e përfshirë në marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe pjesën e emrit, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Në fakt, në çertifikata ku vërtetohet mandati i deputetëve tanë, përdoret identifikimi i emrit (s.s. Veri). Edhe projektligji që hodhëm sot u shtrua me atë emërtim. Por e drejta ime njerëzore, e garantuar me shumë konventa, është e drejta e lirisë së fjalës dhe shprehjes. Nuk inatosem me politikanët kur nuk thonë emrin e plotë të vendit të tyre.
Për mua atdheu im në çdo deklaratë që bëj është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedoni. Komunikimi i përgjithshëm institucional që është pjesë e ligjeve dhe Kushtetutës do të respektohet për aq kohë sa ato janë në fuqi. Nuk mund të kërkosh respektim të ligjeve dhe të jesh hipokrit dhe të thuash gjëra të tjera. Në deklaratat e mia, megjithatë, emri i atdheut tim do të jetë Maqedonia”, tha Christian Mickoski, në një konferencë për media, që dha në lidhje me projektligjin e paraqitur nga partia e tij, për krijimin e tri ministrive shtesë në qeverinë e ardhshme të vendit.
Ai gjithashtu theksoi se do të mbështesë sa më sipër në Samitin e NATO-s, nëse ngrihet një çështje e tillë, raportoi INA.
“Do të them gjithashtu se ne duam të ndërtojmë ura miqësie dhe bashkëpunimi me fqinjët tanë jugorë, lindorë, veriorë dhe perëndimorë dhe se populli dhe qytetarët maqedonas janë njerëz paqësorë dhe mikpritës dhe se duam bashkëpunim dhe miqësi. Pres që fqinjët të sillen në të njëjtën mënyrë. Unë nuk kam ndërmend të sillem si talebanët dhe as nuk pres sjellje talebane nga ndonjë politikan në shekullin e 21-të.
Ne mundemi, jo vetëm atje (d.m.th. në Samitin e NATO-s), por edhe në çdo forum tjetër të hapim diskutim se kush dhe sa ka zbatuar nga Marrëveshja e Prespës”, shtoi Mickoski. Më tej, lideri i VMRO-DPMNE-së pohoi se “histeria që krijohet në Greqi dhe transferohet këtu është për shkak të fushatës së tyre zgjedhore (s.s. në Greqi)”.
Së fundi, Christian Mickoski njoftoi se nesër do të marrë nga presidentja e Republikës, Gordana Silianovska, mandatin për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve parlamentare në vend që u mbajtën më 8 maj dhe në të cilat fitoi VMRO-DPMNE. /ZOOM.AL/