zoom

Politikë

Kryemadhi-Ramës: Qeveria e tëra në funksion të kërcënimeve ndaj SPAK

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të sotme të Kryeministrit Rama, sipas të cilit, ai e ka udhëhequr reformën në drejtësi.

Sipas Kryemadhit, e cila fillimisht kujton votimin me 140 vota në 2016-n për miratimin e kësaj reforme, sot kryeministri Rama e vendosi partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij.

Kryemadhi vijon më tej duke thënë se Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por sipas kryetares së LSI, ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta.

“Në vitin 2016 miratuam me 140 vota dhe ndihmën e SHBA-BE një reformë në drejtësi që të hiqnim përfundimisht duart e politikës nga drejtësia.Sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij. Gjithçka e thënë me logon e partisë socialiste në sfond.

Moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme! Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta.

Reformën në Drejtësi e konceptuam dhe miratuam me 140 vota që të mos ishte ‘Ramaforma’ e radhës. Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vetingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.

Një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. Tik Tak ora jote po afron”, ka shkruar Kryemadhi.
/zoom.al/