zoom

Aktualitet

Kreu i SPAK: Kemi nën hetim ish-ministra, deputetë dhe 3 kryetarë bashkish

Kreu i SPAK Arben Kraja ka folur për arritjet e institucionit që ai drejton në  Komisionin për Integrimin Europian. Kraja deklaroi se gjatë vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022 vijojnë hetime për persona me funksione të larta shtetërore, megjithatë nuk pranoi të japë emra konkretë.

Më tej, u shpreh se 80% e rasteve që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë në dorë, nuk janë në dijeni se po hetohen.

Kraja tha gjithashtu se po bëhen hapa konkretë për plotësimin e stafeve, ndërsa theksoi se janë duke kryer hetime proaktive, që nënkupton se personi që është nën hetim nuk ka dijeni për këtë gjë.

“Për të realizuar rekomandimet jemi mundur të kryejmë hetime proaktive, kemi bashkëpunuar shumë me Policinë e Shtetit. Kemi bashkëpunuar me institucionet homologe jashtë vendit. Hetim proaktiv është koncept i gjerë, që po heton pa e ditur tjetri që po e heton. 80 % të rasteve që kemi në dorë janë hetim proaktiv. Nëse i referohemi shifrave, janë nën hetim 832 vepra penale për korrupsion. Janë dërguar për 4 muaj 11 procedime penale. Të dhënat janë tregues që SPAK dhe BKH janë në gatishmëri.

Në lidhje me veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, mund të përmendim zyrtarë në statusin e ish-ministrit, deputetit dhe janë tre kryetarë bashkish. Jemi në fushë të ngatërruar. Janë kryer hetime ndaj disa subjekteve. Në këtë periudhë janë dënuar një gjyqtar dhe 2 prokurorë. Janë nën hetim 3 ish-gjyqtarë dhe janë në gjykim tre ish-gjyqtarë të Kushtetueses. Rastet e hetimeve për korrupsion është bërë nga SPAK dhe hetimi pasuror. Kur nuk kanë qenë të justifikuara është kërkuar sekuestro në Gjykatë. Numri i hetuesve në BKH do të jenë 60. Kur kemi bërë gati për të filluar procedurat kemi hasur probleme të ligjit”, tha Kraja.