zoom

Aktualitet

Kreu i SPAK i përgjigjet akuzave të Ilir Metës dhe mohon njohjen me McGonigal: S’e kam takuar kurrë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi mbrëmjen e djeshme kreun e SPAK, Altin Dumani. Në një prej pohimeve të tij, ish-presidenti e lidhi kreun e organit të akuzës edhe me McGonigal, rreth një takimi që kishin pasur.

Sot ka reaguar kreu i Prokurorisë së Posaçme, duke i hedhur shkurtimisht poshtë pretendimet.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, të pabaza, që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha ai.

Aktualisht SPAK ka nën hetim çështjen e rihapur të CEZ-DIA, ku po pyetet edhe ish-presidenti pas denoncimeve ndaj tij si i implikuar dhe të telefonit të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, që gjithashtu është pyetur disa herë.

Dje në emisionin “Opinion”, Meta akuzoi Dumanin për veprimtari politike të qëllimtë. Deklarata si më poshtë:

“Hetimi i SPAK-ut tarallakut ka nisur në dhjetor të 2019, me prokuror Altin Dumanin, që bën si i fortë dhe mburret se do merret me Ilir Metën dhe se ka mbështetjen e amerikanëve. SPAK ka nisur hetim në dhjetor 2019 për CEZ. Sipas të dhënave të mia, pas takimeve të Dumanit me McGonigalin e Edi Ramës. Dhe pse ka nisur në 2019 për një çështje të mbyllur? Ka nisur që Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Ramës, që të mos kishte asnjë mendim pakice dhe të asgjësohej drejtësia

Ma sillni këtu Altin Dumanin. Do të frenojë Ilir Metën të sjellë pluralizmin. E duke kapur ndonjë laraskë lart e poshtë po tenton të marrë Partinë e Lirisë. I duhet Edi Ramës të marrë peng PL, siç mori peng PD dhe vulën. Ma sill këtu Altin Dumanin ta shohin shqiptarët. E akuzoj për veprimtari politike të qëllimtë. Ky person nuk ka kurajo t’i vërë Ramë hekurat për inceneratorët. Nuk ka kurajo t’ia vërë Veliajt hekurat. U jep pyetje gazetarëve të vetë që është Meta andej e këtej. Nuk kam asgjë për të më hetuar. Kam qenë zyrtari më korrekt i këtij shteti”, tha Meta dje në emisionin “Opinion”. /ZOOM.AL/