zoom

Aktualitet

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako në SPAK, ja çështjet për të cilat mund të jetë thirrur

Ish-kryepolici, aktualisht kreu i Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes, Haki Çako, është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Drejtori që mbajti për tre vite pozicionin e kreut të Policisë së Shtetit dhe prej më shumë se 5 vitesh te Emergjencat, nuk është hera e parë që shkon në Prokurori. Çako ka qenë i hetuar nga ish-Krimet e Rënda edhe për aparaturën e përgjimeve të Policisë “IMSI CATCHER”, që u dyshua se përdorej paligjshmërisht.

Nuk dihet ende se pse është thirrur në SPAK, Haki Çako. Por çështjet më të fundit të nxehta që e lidhin direkt apo indirekt institucionin e tij apo detyrat që ka mbajtur janë ato të helikopterëve Cougar, tenderi i blerjes dhe mosfunksionimi, fondet e Emergjencave Civile, si dhe ndonjë dosje e vjetër e rihapur, gjatë kohës që ishte kryepolic.

SPAK mund ta pyesë në cilësinë e personit që ka dijeni, teksa vetë Çako nuk ka dhënë asnjë reagim gjatë hyrjes në godinë.

Në qershor të vitit 2016, Haki Çako u pezullua për disa ditë nga detyra me urdhër të Prokurorisë, si i dyshuar, teksa Gjykata më pas e riktheu në detyrë, pasi çështja u pushua.

Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, togat e zeza vendosën në atë kohë masën e sigurimit “arrest në shtëpi” me mbikqyrje elektronike për Artion Dukën, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (F.O) dhe Entiol Xhelilajn, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi dyshoheshin si oficerët që bënin përgjimet.

Çako ka qenë pjesë e hetimeve edhe për rastin e akuzave të Tom Doshit ndaj Ilir Metës për atentatin e inskenuar në vitin 2015, duke përdorur Durim Bamin. /ZOOM.AL/