zoom

Politikë

Kongresi i PS nis me ironitë e Spiropalit dhe Klosit drejtuar Opozitës: Të dobët, të shkërmoqur…

Kongresi i Partisë Socialiste ka nisur me fjalime ironike dhe “humor të zi” të krerëve të saj, drejtuar opozitës, duke i cilësuar “të dobët”, “të shkërmoqur” apo edhe si “grup që ndjell mort dhe 97-ën”.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e para që mori fjalën në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, nuk i kurseu ironitë për opozitën.

Spiropali solli në vëmendje shprehjen e Ramës, por edhe socialistëve të tjerë se “Suksesi është kolektiv, përgjegjësitë individuale”.

“Suksesi është kolektiv, përgjegjësitë individuale. Disa sillen si pirromanë në Kuvend, disa e djegin. Sa herë ka ballafaqime elektorale, ata do të humbin, ne do të fitojmë. Ne nuk na ndan prej tyre barrikada nuk na ndikon mos të shohim flakadanët që ndezin në Parlament. Ne jemi institucion lirie, ata i marrjes peng të institucioneve.

Ata po i tmerron frika e orës së të vërtetës. Filozofia e tyre shkon në krah të kundërt me vullnetin e shqiptarëve, ndërkohë ata e kurdisin sahatin e tyre me akrepat e 97. Asnjë lider tjetër sa Edi Rama dhe PS, nuk është treguar aq i aftë dhe kaq këmbëngulëse në praktikat e korrigjimit. Kundërshtarët tanë dinë vetëm të humbasin.”, tha Spiropali.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij në Kongresin e jashtëzakonshëm të socialistëve i bëri lavde kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, me Ramën PS-ja është shumë e fortë.

“Në koalicion apo jo, të gjithë ata janë shkërmoqur. Ata duken shumë të dobët, se ne me Edi Ramën jemi shumë të fortë. Më lejoni që dhe në emrin tuaj, të deklaroj të hapur këtë Kongres.

Ne do të pasqyrojmë se si ia kemi dalë për të mbajtur fjalën e dhënë. Do të flasim për ekonominë, drejtësinë, sigurinë, politikat europiane, dhe për PS, se si duhet ta rienergjizojmë dhe më shumë. /ZOOM.AL/