zoom

Aktualitet

Konfindustria: Bordi dështoi t’i japë fund abuzimit m çmimet, dyshime për kontrabandë nafte

Bordi i qeverisë për çmimet e karburanteve ka dështuar në qëllimin e tij për t’i dhënë fund abuzimeve në treg. Është ky vlerësimi i Konfindustrisë për Bordin e Transparencës.

Në një reagim për mediet, administratori Gjergj Buxhuku thekson se ky bord ka krijuar problematika të tjera me pasoja të rënda për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit.

Sipas Konfindustrisë, metodologjia e përcaktimit të çmimit është e paqartë dhe në bord janë pikërisht operatorët e tregut, të cilët duhet të hetohen për spekulime të mundshme.

Buxhuku denoncon se tregu i Karburanteve në Shqipëri ka shenja të qarta të organizimit në formë karteli në tregtinë me pakicë dhe oligopoli në tregtinë me shumicë.

Në reagim thuhet se ka dyshime të arsyeshme për kontrabandë masive në nivele, që arrijnë në 30% të sasisë së përgjithshme të konsumit me qindra milionë dollarë dëme për buxhetin e shtetit.

Konfindustria përsërit kërkesën drejtuar qeverisë që duhet të fillojë menjëherë krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm duke ndjekur modelin e Maqedonisë së Veriut, ku çmimet e naftës janë 25-35% më të ulëta se në Shqipëri./Zoom.al/