Aplikacion
Në deklaratën e parë që policia shpërndau për mediat, pak orë pas ngjarjes, thuhet se ai është arrestuar me akuzën “vrasje me dashje”, së bashku edhe me tre persona të tjerë për moskallëzim krimi.
“Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar. Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, thuhet në deklaratën e policisë.
Por disa orë më vonë kur ka nisur pyetja e dëshmitarëve, në raportin e oficerit të policisë gjyqësore, varianti i arrestimit nuk përmendet më. Sipas këtij dokumenti, që i ka shkuar edhe Prokurorisë, autori Denis Meçe pasi është kërkuar në rrugë dhe vende të ndryshme dhe pasi telefoni i tij ka qenë i fikur, në orën 3.30 të mëngjesit është paraqitur vetë në polici.
“Gjatë kësaj kohë shtetasi Denis Meçe është kërkuar në rrugë, vende, e ambiente të cilat mund ti frekuentonte gjithashtu është telefonuar edhe në numrin e celularit 069*** i cili ka rezultuar i fikur, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij. Vetëm në orën 03:30 ai është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec i cili pasi është shoqëruar për në ambientet e DVP Korçë është pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime”, thuhet në raportin e oficerit të policisë gjyqësore.
Ky variant i oficerit, mbështetet edhe nga dëshmia e vetë Denis Meçes, i cili tregon se kishte për qëllim vetëm që ta qëllonte për ta qetësuar viktimën.
“Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata jam larguar. Rrugës për në fshatin Buçimas kam ndaluar makinën time në krah të rrugës dhe kam fjetur pasi isha i dehur, kur më ka dalë gjumi mora në telefon avokatin duke i thënë se çfarë kishte ndodhur pasi kisha merak dhe ai më tha që personi i dëmtuar kishte ndërruar jetë, në këtë moment i kam thënë avokatit eja më mer dhe më shoqëro për në komisariat sepse dua të jap deklarimet time”, ka dëshmuar Denis Meçe në Polici./TCH