zoom

Ide & Blog

Komunikimi Publik i SPAK për dosjen e Ilir Metës, një precedent i rrezikshëm për biznesin

Njoftimi i SPAK për arrestimin e Ilir Metës dhe akuzat ndaj Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut shënoi një prej skandaleve më të mëdha në komunikimin publik që mund të bëjë një institucion i zbatimit të ligjit.

Veç emrave të të akuzuarve, SPAK ekspozoi një biznesmen, duke aluduar për marrëdhënie të paligjshme me Ilir Metën e Monika Kryemadhin. Ja si e paraqiti SPAK këtë episod.

“Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).”

Por një ditë më vonë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) në vendimin e saj për masat shtrënguese, e nxorri SPAK-un zbuluar. GJKKO sqaroi se, së pari nuk bëhej fjalë për interesa specifikisht të biznesmenit, por për shqetësime të shumë investitorëve dhe se në nuk kishte vilë të dhuruar ndonjëherë.

“Personi nen hetim Ilir Metaj, ne kohen qe ka qene Kryetar i Kuvendit te Shiperise, ne bashkepunin me bashkeshorten e tij, personin nen hetim Monika Kryemadhi, kane marre persiper te miratojne/ndryshojne nje ligi ne fushen e Minierave, qe zgjidhte nje shetesim te disa investitoreve ne kete drejtim. Pasi ky fakt eshte marre vesh (dhurimi i viles) dhe nga persona te tjere, duke perfshire dhe Ambasadorin Grek n e Tirane, ata (Meta – Kryemadhi) kane hequr dore nga perfitimi duke mos e finalizuar marredhenien” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Pra, sipas SPAK, Meta e Kryemadhi do të ndryshonin ligjin në interes ekonomik të biznemenit S.M dhe ai do t’u jepte një vilë. Por sipas GJKKO bëhet fjalë për një përpjekje “qe te zgjidhjte nje shqetesim te disa investitoreve” dhe se nuk ka pasur asnjë vilë të përfituar.

Ylli Manjani, jurist dhe ministër i qeverisjes Rama – Meta, me njohuri asokohe mbi shqetësimet e biznesit për ligjin në fjalë, e shpjegon më qartë kontrastin mes njoftimit të SPAK dhe vendimit të GJKKO, duke hedhur më shumë dritë mbi skandalin e njoftimit të Prokurorisë së Posaçme.

“Qeveria asokohe ka dashur të disiplinojë institutin juridiko-civil të servitutit publik ndërmjet përdoruesve në miniera. Pra as taksa, as tarifa, as leje asgjë e konvertuar në interes ekonomik që të ketë përfitim privat; Vetëm disiplinim të servitutit publik.

Vendimi i gjykatës thotë se këto ndryshime kanë disiplinuar jo vetëm bisnesin e S.M, por edhe të shoqërive të tjera. Pra korrupsioni i supozuar në njoftim, nuk del askund në vendimin e gjykatës. As vilë nuk ka e as asnjë ndikim të paligjshëm. Paraqitja e intereave si grup interesi në Parlament është pjesë e sistemit demokratik dhe jo korrupsion!” – shkruan Manjani.

Por cili ishte interesi i SPAK për të përfshirë një biznesmen në njoftimin për shtyp që mbushi mbrëmë ekrane e portale?

Në dosjen e SPAK figurojnë shumë emra biznesmenësh të tjerë. Për shëmbull, emri i A. SH (Ardian Shatku), një prej personave kyç në një prej akuzave të ngritura ndaj Metës, Kryemadhit e Xhixhos, figuron në plot 52 faqe, i përmendur mbi 150 herë.

Emri i TH. Ç përmendet në 18 faqe të dosjes së SPAK, ose afro 50 herë.

Emri i biznesmenit G. S (Gentian Sula) përmendet në 5 faqe, po kaq herë.

Emri i Vodafone Albania përmendet në plot 29 faqe të dosjes së SPAK, ose afro 100 herë.

“Atëherë përse në njoftimin e SPAK shquhet vetëm S.M?!” – pyeste sot ish -ministri Manjani, duke nxjerrë në pah edhe më shumë skandalin e njoftimit të SPAK.

Për SPAK ka kohë që janë ngritur dyshime se po vepron si në xhungël, duke mos pyetur për ligjin, flitet se po e përdor sipas dëshirës pushtetin që i ka dhënë Reforma në Drejtësi, se po godet në mënyrë selektive, se nuk ka asnjë institucion që t’i kërkojë llogari apo se prokurorët e kësaj strukture, që thuhet kanë dalë në përgjimet e SKY EÇ, kanë inate personale me persona të veçantë.

Ligjërisht SPAK ka të gjithë të drejtën të hetojë këdo që dyshon se ka shkelur ligjin. Por ekspozimi publik i personave të veçantë në dosje hetimore kur ndaj tyre nuk ka as dyshime, as hetime, as akuzë e as masë nuk parashikohet në asnjë rresht të asnjërit nga ligjet mbi të cilët vepron kjo strukturë.

Reforma në Drejtësi kishte për qëllim edhe që të përmirësonte klimën e biznesit. Por SPAK, Instituconi kryesor që prodhoi kjo reformë, po e përkeqëson këtë klimë duke nxjerrë biznesin dhe sipërmarrësit në pritë për gjyq publik, pa prova, pa akuza.

Njoftimi i djeshëm i SPAK përbën një këmbanë alarmi në këtë drejtim, sepse përmes tij çdo sipërmarrës mësoi se mund të jetë i kërcënuar në çdo moment nga vetë “Drejtësia e Re”, më keq sesa e vjetra, edhe në rastet kur përpiqet të përmirësojë ligje që i shërbejnë biznesit dhe ekonomisë. / Çim Kecaj