zoom

Aktualitet

Kokainë nga Brazili në Greqi/ Arrestohet shqiptari teksa priste valixhen me drogë

Një shtetas shqiptar është arrestuar nga autoritetet në Greqi pas një operacioni policor kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

28-vjeçari nga Konispoli, Pajtim Kaleshi u kap në flagrancë teksa priste valixhen me rreth 17 kilogramë kokainë në aerportin e Athinës.

Policia greke identifikoi fillimisht 30-vjeçarin grek Iosif Samha, me precedentë penalë, i cili vinte me avion nga një vend i huaj. Në dy valixhet e tij, brenda aeroportit “Eleftheros Venizelos”, policia sekuestroi 16 pako me 17.3 kg kokainë.

30-vjeçari ka kryer transportin për llogari të një shtetasi shqiptar, të identifikuar me inicialet A. S, i cili është shpallur në kërkim.

Më urdhër të këtij të fundit, lënda narkotike do i dorëzohej shtetasit Pajtim Kaleshi, 28 vjeç, banues në Konispol. Policia e ka pikasur Kaleshin jashtë aeroportit dhe e ka vënë në pranga. Ai mësohet se do të kryente shitjen e drogës në Athinë. Gjatë operacionit janë sekuestruar lënda narkotike, automjeti i Pajtim Kaleshit, 3 celularë dhe 590 euro.

Droga është marrë në Brazil nga Iosif Samha, i cili ka shkuar disa ditë më parë në Brazil, ku ka marrë lëndën narkotike dhe ka udhëtuar nga Brazili në Athine duke pasur tranzit Katarin.