zoom

Lajme

Koeman dhe Bellingham duan Spanjën në finale, por në fillim duhet të “heqin qafe” njëri-tjetrin…

Anglia do të ketë përballë në gjysmëfinale, një nga surprizat e këtij Evropiani në letër por jo si histori futbolli, Holandën.

Nëse mund të quhet e tillë, pasi “tulipanët” janë një emër i madh i futbollit Evropian, por të paktë ishin ata që e shihnin deri në këtë fazë. Ronald Koeman nuk dëshiron të ndalet këtu, por sheh nga finalja, ku dhe ai shpreson që përballë të ketë Spanjën:

“Është ende herët për të folur për këtë, fillimisht duhet të përgatisim mirë gjysmëfinalen, do të jetë një ndeshje mes dy përfaqësueseve të mëdha. Në finale do të doja Spanjën, duke qenë se me Francën u përballëm edhe në fazën e grupeve”, u shpreh ndër të tjera Koeman.

Kurse Anglia siguroi një biletë për në fazën gjysmëfinale të “Euro2024”, por në ishull të paktë janë ata që duken të lumtur, tifozë, ish lojtarë, por dhe mediat, vijojnë të ankohen, të sulmojnë ekipin e Southgate. Kjo situatë nuk është pritur mirë as nga trajneri i “tre luanëve”, i cili pas ndeshjes kundër Zvicrës befasoi duke theksuar se ajo ishte ndeshja më e mirë që kishin zhvilluar këtë turne.

Në qendër të kritikave ka përfunduar edhe Harry Kane, ku mediat e vlerësuan me notën 4 duke shtuar se: “Dukej i lodhur”.

Akoma më i ashpër ishte Jime Carragher, ish lojtari i Liverpool dhe përfaqësueses angleze, i cili theksoi se: “Anglia po thyen çdo logjikë të futbollit, nuk është normale të luash kaq keq dhe të fitosh gjithnjë”.

Por pavarësisht kritikave të panumërta, Bellingham sheh larg, shpreson që të ketë Spanjën në finale:

“Shpresoj. Spanja ka luajtur shumë mirë këto tre javë, pra gjithçka është e mundur. Gjithsesi, e gjithë vëmendja ime është tek Anglia, te shokët e mi”, u shpreh ndër të tjera Jude Bellingham. /ZOOM.AL/