zoom

Aktualitet

KLSH kërkon shkarkimin e kreut të agjencisë së Pasurive të Konfiskuara,mungojnë 24 makina të krimit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar shkarkimin e kreut të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara nga krimi i organizuar, Adrian Kroni, pasi ka gjetur aty shkelje të rënda të ligjit.

Sipas KLSH-së, në agjencinë që administronte 140 mln euro pasuri, janë vërejtur disa problematika si mosinventarizim sipas kërkesave të ligjit, shkelje të rënda në procedurat për shitjen e tyre, abuzime me kontratat e punonjësve dhe punësime të dyshuara nepotike e korruptive, gjë që ka rritur rrezikun e tjetërsimit të këtyre pronave dhe rikthimit të tyre në zotërim tek personat e dënuar nga drejtësi.

Për më tepër, i njëjti raport nxjerr se në agjenci mungojnë 24 automjete të cilat janë sekuestruar nga organet ligjzbatuese nuk figurojnë në regjistrat e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara.

“Nga auditimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga përgjegjësi i sektorit të marrëdhënieve me institucionet, çështjeve juridike dhe provave materiale të AAPSK-së, gjendja e automjeteve të marra në dorëzim nga administratorët deri më datë 31.12.2022 rezulton si vijon: 23 automjete të konfiskuara dhe 80 automjete të sekuestruara. Ndërkohë, sipas përgjegjësit të magazinës gjendja e automjeteve deri më datë 31.12.2022 rezulton: 79 automjete të sekuestruara/konfiskuara të magazinuara. Pra, 24 automjete nuk rezultojnë të jenë dorëzuar nga administratorët në ambientet magazinuese të AAPSK-së, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 20, të ligjit 34/2014, i ndryshuar dhe pikën 7, të nenit 14, të Rregullores së Brendshme të AAPSK,” thuhet në raport.

Sipas KLSH-së, mungesa e zbatimit të kritereve ligjore, mungesa e krijimit të një baze të dhënash në lidhje me një informacion të përgjithshëm për të gjitha pronat e sekuestruara e të konfiskuara, mungesa e regjistrimit dhe monitorimit të të gjithë objekteve të sekuestruara dhe të konfiskuara të dhëna me qira, janë tregues i qartë që objektivat e krijimit të sistemit nuk janë arritur e për rrjedhojë niveli i riskut është i lartë.

Raporti thekson gjithashtu se në pesë procedura prokurimi për shitjen e pronave të konfiskuara nga gjykatat është gjetur diferencë e madhe mes fondit limit të përllogaritur dhe vlerës së kontratës fituese.

Sipas KLSH-së, kartelat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në fund të dhjetorit të vitit të kaluar nuk përmbajnë ekstraktet bankare dhe kartelat e inventarit të pasurive sipas administratorëve të tyre, nuk gjenden procesverbalet dhe mungon organizimi e dokumentimi i veprimeve kontabël të aktivitetit të administratorëve që janë ngarkuar për këto prona.

Për të gjitha këto shkelje, KLSH rekomandon në raport që kryeadministratori i agjencisë Adrian Koni të shkarkohet nga Shërbimi Civil.