Aplikacion
“Ne nuk mund të kemi sot hapësira, qoftë edhe tek Bregu i Lumit, që të zaptohen nga të fortët që thonë: Nuk dua të bëhet rruga, nuk dua të bëhen pallatet për tërmetin, sepse i kam zënë unë. Për gjithë kolegët e medias, nëse bëni një kërkim në Google me fjalët “Vëllezërit Marku/OFL’”, do të shikoni se ata që sot thanë se do të vrisnin kryetarin e bashkisë, tashmë u janë sekuestruar 5 milionë euro prona dhe 18 makina. Si ka mundësi që dikush që është kriminel i skeduar mund të kanosë këdo, përfshirë kryetarin e Bashkisë, apo forcat e policies, apo inspektorët, apo ata që janë për t’i shërbyer publikut? Koha kur laci, i forti, zaptuesi, krimineli, trafikanti bënte ligjin në këtë qytet, ka mbaruar. Nuk ekziston më”, theksoi Veliaj.
Ai u shpreh se ka ikur koha e viteve ’90, kur persona të skeduar nga drejtësia bënin të fortin.
“Koha kur ne tërhiqemi me të fortin që vinte nga vitet ’90, me targa të huaja, me timonin në anën tjetër, apo me atë të piramidave të ’96, apo me rrugaçin e ’97, apo me atë që merrte tankun dhe shkonte drejt qeverisë në ’98, është kohë e kaluar. Jemi në vitin 2022, flasim për Kryeqytetin Evropian të Rinisë, ndërkohë dikush i skeduar nga policia ka folur sot me orë të tëra dhe asnjë nga mediat nuk pyeti: Ore kush është ky? Si mund të japim me orë të tëra në televizor një kriminel, të cilit policia ia ka konfiskuar pasurinë dhe është nën hetim, si “grabitqarë”, “peshkaqenë” fajdesh? Jepnin fajdet, pastaj shkonin i kërcënonin, i vrisnin dhe ky thotë që do bëjë vetëgjyqësi me kallash e acid?!”- u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se kriminelët dhe trafikantët nuk kanë asnjë shans që të përcaktojnë axhendën e qytetit.
“Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?! Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton axhendën e qytetit. Axhendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”, deklaroi Veliaj.