zoom

Aktualitet

Këngë me motive shqiptare? Dua Lipa nga Tirana: E kam menduar…

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka vizituar Shqipërinë këtë të premte. Ajo u takua me një sërë personalitetesh në vendin tonë dhe vizitën e saj të dytë në Shqipëri vendosi ta mbyllte me një konferencë të përbashkët me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Dua u pyet nga gazetarët nëse ka menduar që të realizojë një këngë me motive të muzikës tradicionale shqiptare. Këngëtarja e pohoi diçka të tillë dhe tha se duhet të punojë fort për të bashkuar modernitetin me traditën shqiptare.

“Ndoshta kam menduar, e kam menduar, kam thënë që ndoshta mund të përdor një këngë të vjetër shqiptare nëse mund të bëj diçka, por ende nuk e kam bërë mirë kështu që duhet me punuar edhe pak me provuar me parë nëse ka mundësi me bashkuar diçka që është edhe moderne, por edhe shqiptare tradicionale. Duhet me e provuar. Ndoshta në një moment mund ta bëj diçka do të ishte shumë interesante”, tha Dua.

Po këngë në gjuhën shqipe a ka menduar Dua Lipa? Ajo u shpreh se ka dëshirë që të bëjë disa ripunime, por duke qeshur vuri në diskutim aftësinë për të shkruajtur këngë shqip. Megjithatë, pa asnjë diskutim, nuk mohoi që ka shumë dëshirë që ta provojë diçka të tillë.

“Unë kam shumë këngë që janë në gjuhën  shqipe që e i dua shumë, që do të kisha pasur qejf në një moment me bërë një cover, me bërë diçka që mund ta dëgjojnë shumë njerëz ndërkombëtarisht me atë gjuhën e bukur, por po ashtu edhe këngët e bukura. Nuk e di a jam mjaft e aftë me shkruajtur këngë shqip, por është patjetër që do të kisha qejf ta provoja. Patjetër”, tha Dua.