zoom

In Zoom

Kë po lufton realisht policia me heqjen e kamerave të sigurisë?

Gati dy javë më parë policia e Shkodrës, në përpjekje për të zbuluar autorët e vendosjes së tritolit në shtëpinë e shefit të Krimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati, në Dobraç, kërkoi pamjet e kamerave të sigurisë në afërsi të kësaj lagje.

Por kërkimet për pamjet arritën të zbulojnë një skandal të madh, kamerat në afërsi të lagjes ishin vendosur nga përfaqësues të grupeve kriminale që veprojnë në Shkodër dhe për rrjedhojë pamjet ishin në zotërim të tyre.

Nisur nga kjo policia zgjeroi kontrollet dhe zbuloi se sheshet dhe kryqëzimet kryesore në rrugët periferike të Shkodrës ishin të monitoruara të gjitha nga kamerat e paligjshme të vendosura nga eksponentët kriminal. Kjo si një mënyrë për të kontrolluar lëvvizjet e grupeve rivale, por edhe ato të vetë policisë.

Me zbulimin këtyre kamerave, Policia vendosi të ndërmarrë operacionin “Fijet”, të shtrirë në të gjitha qarqet e vendit për të evidentuar dhe hequr të gjitha kamerat e sigurisë të vendosura nga eksponentët kriminal.

Por objekt i këtij operacioni nuk u bënë vetëm kamerat e krimit, por çdo lloj kamere e vendosur në kundërshtim me ligjin, përfshi këtu ato nga biznese e qytetarë të ndryshëm.

Policia thuajse çdo ditë ka publikuar rezultatet e këtij operacioni në çdo qarkë, duke bërë të ditur se në total deri më tani janë hequr mbi 450 kamera, ndërsa mbi 70 persona janë vendosur në hetim të thelluar si autorë të vendosjes së kamerave në kundërshtim me ligjin.

Ndonëse policia në çdo deklaratë përpiqet ta justifikojë këtë operacion se po godet elementët kriminal, në fakt operacioni duket se më shumë po bën dëm sesa po sjell dobi.
Kjo pasi në shumicën e rasteve kamerat nuk i përkasin eksponentëve kriminal, por janë kamera që janë vendosur nga qytetarët e ndryshëm për arsye sigurie; dikush i ka vendosur për të ruajtur biznesin nga vjedhjet, dikush pallatin, shtëpinë e me radhë.

Policia mund t’i çmontojë ato kamera të cilave nuk u del askush për zot. Por kamerat e vendosura në shtëpi e biznese, ajo mjafton t’i regjistrojë, pa qenë nevoja të bëjë zhurmë më shumë sesa ka bërë vetë fakti që ajo e ka lënë situatën e kriminalitetit deri në këtë pikë, sa krimi është shndërruar në një Big Brother.

Kështu, në vend që të luftojë krimin, policia duket po lufton qytetarët dhe bizneset, të cilët të gjendur shpesh në mëshirë të fatit dhe pre e vjedhjeve, janë detyruar që edhe kundrejt shpenzimeve të mëdha, të vendosin kamera sigurie. Në këtë mënyrë policia po i nxjerr qytetarët dhe bizneset zbuluar përpara krimit dhe hajdutëve, të cilët, në mungesë të kamerave të sigurisë do të ishin më të lirshëm për të vepruar.

Heqja e kamerave nga rrugët dhe banesat e qytetarëve do jetë edhe për vetë policinë një hap pas, pasi shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vend janë zbardhur pikërisht nga kamerat e bizneseve, të regjistruara ose jo. Për rrjedhojë organet hetimore do kenë më pak fakte dhe prova në dorë.
Por jo vetëm kaq! Duke vënë në hetim të gjithë ata që kanë vënë kamera për sigurinë e tyre dhe bizneseve të tyre, policia po u hap një telash më shumë qindra familjeve në vend, që tashmë duhet të përballen edhe me organet e drejtësisë.

Sa për grupet kriminale, ata kanë për çfarë të procedohen dhe askush nuk beson sot se do të jenë kamerat e vendosura rrugëve e shesheve që do t’i çojnë pas hekurave. /Zoom.al