zoom

Ekonomi

Karteli shqiptar i karburanteve – Kush po e mban të lartë çmimin e naftës?

Tregu i karburanteve në Shqipëri nuk ka reflektuar asnjë nga dinamikat e tregut të jashtëm. Ndonëse, nafta në bursat e huaja është zhvlerësuar me 14% vetëm dy muajt e fundit, në Shqipëri shitet me një çmim maksimal prej pothuajse 200 lekësh për litër (199).

Sipas ekspertëve të fushës nuk ka asnjë shpjegim ekonomik që justifikon tregun vendas të naftës, përveç abuzimit. Gjithnjë e më shumë, akuza se ky treg në Shqipëri është një kartel po bëhet e vërtetë. Vetëm dy muajt e fundit, në bursën Platts, me të cilën operon dhe vendi jonë, luhatjet e çmimeve kanë qenë të theksuara dhe të shpeshta. Por në Shqipëri prej muajsh çmimi është i fiksuar dhe lëviz vetëm për në rritje.

Ndonëse tregu ka disa operatorë të mëdhenj, aty nuk ka konkurrencë. Çmimi është i njëjtë kudo dhe të gjithë dalin fitues.

Përveç lëvizjeve në bursë, as ato në kursin e këmbimit nuk janë pasqyruar tek çmimi i naftës. Në një vit, dollari, monedha me të cilën bëhen pazaret e naftës, është zhvlerësuar me 12% kundrejt lekut. Në gjuhë të thjeshtë, nafta në Shqipëri duhet të ishte të paktën 12% më e lirë në bursë. Por kjo do të përkthehej në më pak para për kompanitë e hidrokarbureve.

Kush fiton nga çmimi i lartë i naftës?.

Kompanitë e karburanteve, grosistët, janë të parët që shijojnë çmimet e larta të karburanteve. Sipas të dhënave të vitit të shkuar, të bëra publike nga GFI Albania, koncesionari i markimit, në një vit shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 900 milionë euro karburant. Sigurisht me rritjen e çmimit të pakicës, vlera zmadhohet.

Pa nevojën e një analize të tillë, mjafton të shohim Top 5 kompanitë me fitimet më të larta në Shqipëri, dy nga të cilat merren me hidrokarburet. Kastrati Group mban vendin e parë me të ardhura pothuajse 100 mld lekë për vitin 2022. Rritja e kësaj kompania ka qenë e frikshme përgjatë vitit të shkuar, me 51%, pikërisht prej rritjes së vrullshme të naftës.

Më pas vjen Gega oil, me të ardhura vjetore rreth 45 mld lekë.

Akciza e karburanteve përbën zërin kryesor të të ardhurave doganore për arkën e shtetit. Nga janari në tetor 2023 ka arkëtuar pothuajse 50 mld lekë.  Por përveç saj, në çmimin e naftës paguhet edhe TVSH-ja, taksa e qarkullimit, markimit, skanimit dhe kolaudimit. Pra për çdo litër naftë, 120 lekë shkojnë drejt e në buxhetin e shtetit. Ndonëse roli i qeverisë në një ekonomi është të mbrojë konsumatorin nga grabitqarët e tregut, kjo e Shqipërisë duket se është palë me to. Pavarësisht sasisë së parave që bizneset mund të fitojnë padrejtësisht, në Shqipëri oligarku më i madh mbetet qeveria!/Zoom.al