zoom

Aktualitet

Kamerat në rrugët e Shkodrës, Policia shoqëron pjesëtarë të fisit Bajri dhe Lici

Pas çmontimit të 21 kamerave të sigurisë që ishin vendosur në shtylla tensioni dhe jo vetëm, në rugët e Shkodrës, që mbikëqyrnin lëvizjet e policisë, por edhe të grupeve rivale në qytetin verior, Policia ka nisur punën për të zbuluar se kujt i përkisnin.

Në 24 orët e fundit disa persona janë shoqëruar nga policia e Shkodrës, pjestarë të fiseve Bajri dhe Lici, por pas marrjes së dëshmive të tyre janë lënë të lirë.

Raportohet se asnjë prej të shoqëruarve nuk ka dhënë informacion për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë grupi hetimor po vijon hetimet për të zbuluar materialet e ruajtura në servera. Deri më tani nuk dihet se kush u vëzhgua dhe përse.

Por po ashtu, kamerat mund të kenë kapur edhe personazhe që kërkohen pikërisht nga Policia ose vrasje që kanë ndodhur në kryeqendrën e veriut.

Gjurmimi i këtyre serverave mund të çonte në zbardhjen e ngjarjeve kriminale ende pa autor dhe pamje të tjera që nuk janë kapur as nga ato të bizneseve për shkak të drejtimit dhe të pozicionit.