zoom

Aktualitet

Italiani kapet duke trafikuar armë nga Porti i Durrësit, hetime për qëllimet dhe furnizuesit

Një shtetas italian u kap në pikën kufitare të Portit të Durrësit teksa tentonte trafikimin e armatimeve për grupet kriminale.

Policia Kufitare e Durrësit njoftoi sot se finalizoi operacionin e koduar “Border”, gjatë të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri dhe një rast i modeklarimit të parave. U sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 16 300 euro dhe 100 paund.

Për tentativën e trafikimit të armës së zjarrit, u arrestua shtetasi italian G. B., 66 vjeç, ndërsa për rastin tjetër u procedua penalisht E. H., 31 vjeç, poseduesi i parave. Italiani ishte duke dalë nga vendi ynë e po kthehej drejt Barit, teksa po hetohet se ku e gjeti armën.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut, me fokus parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive kufitare, kanë goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, në dalje të RSh-së, dhe një rast të mosdeklarimit të parave, në hyrje.

Për këto raste, veprimet hetimore dhe procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilët kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. B., për veprën penale “trafikimi i armëve dhe municionit”, si dhe kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. H., për veprën penale “mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, njoftoi policia vendore.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura