zoom

Aktualitet

Italia sjell në pranga zyrtarin e Lezhës të dënuar për pronat, Interpoli i çon serbin Gjermanisë

Interpol Tirana ka intensifikuar procesin e ekstradimeve dhe arrestimeve të personave të kërkuar nga drejtësia.

Sot njoftohet nga Policia e Shtetit se janë ekstraduar drejt Gjermanisë e sjellë nga Italia, 2 persona të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga Italia u soll një 39-vjeçar shqiptar i dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, për falsifikimin të dokumenteve të pronave në bregdetin e Lezhës.

Kurse drejt Gjermanisë, u dërgua një shtetas serb, i akuzuar nga autoritetet e drejtësisë gjermane, si pjesëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente dhe përvetësonte sende të vjedhura.

“Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar në Shqipëri, shtetasi shqiptar Paulin Simoni, 39 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datë 15.04.2022, e ka dënuar me 3 vjet e 8 muaj burg, për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve”, “falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “shpërdorimi i tokës” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale”.

Shtetasi Paulin Simoni, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka kryer veprime të kundërligjshme duke falsifikuar dokumentet e pronës dhe formularët e pronësisë, me qëllim tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës.

Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, është ekstraduar drejt Gjermanisë, edhe shtetasi serb I. B., 50 vjeç”, thuhet në njoftim.

Serbi ishte shpallur ne kerkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi Gjykata Rajone e Ravensburg, me vendimin e datës 17.08.2023, ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe “përvetësimi i sendeve të vjedhura”, kryer më shumë se një herë, në formën e grupit kriminal, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura