zoom

Aktualitet

Italia e kërkonte për tre krime, kush është 30-vjeçari laçjan i arrestuar sot për ekstradim

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, njoftoi sot se finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 7”.

Në pranga ra një i ri nga Laçi, i shumëkërkuar nga drejtësia italiane për krime të rënda.

Donald Martinaj rezluton i akuzuar nga Gjykata e Riminit, për 3 vepra penale kundër personit dhe pronës, teksa u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 7”, kapi në Laç dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar Donald Martinaj, 30 vjeç, i lindur në fshatin Gurëz, Kurbin.

Gjykata e Riminit, Itali, me vendimin e datës 25.08.2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përndjekja”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, pasi akuzohet se në muajin korrik, 2023, ka përndjekur ish të dashurën, i ka djegur me benzinë automjetin, si dhe ka organizuar shtetas të tjerë që kanë dhunuar këtë shtetase dhe partnerin e saj”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin. /ZOOM.AL/