zoom

Aktualitet

Vendimi/ Ish-prefekti arrin marrëveshje fajësie me SPAK për tenderin e karburantit, GJKKO e refuzon

Gjykata e Posaçme refuzon marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes SPAK dhe ish-kryebashkiakut të komanduar të Kukësit, Granit Gjana, që do i hapte rrugë gjykimit të shkurtuar sipas akteve të dosjes penale.

Njëkohësisht prefekti i Kukësit, Gjana kishte arritur në marrëveshje me SPAK, lidhur me pranimin e fajësisë për 2 procedura tenderimi për blerje karburanti. GJKKO urdhëroi kthimin e dosjes për hetim nga ana e SPAK.

Marrëveshja parashikonte dënimin e Gjanës me 1 vit e 6 muaj burgim dhe konvertimin në 3 vite shërbim prove dhe si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat 5 vjeçar. Lidhur me procedurat për të cila akuzohet ish-zyrtari, ka dhënë deklarime edhe ish-kryebashkiaku Safet Gjici. Nga qelia e burgut ku shlyen dënimin dënimin për shpërdorim detyre pas videoskandalit seksual në zyrën e tij, Gjici tha se nuk i kujtohen detaje.

“Më datë 25 Janar 2024, është bërë marrja në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale e shtetasit Safet Gjici, i cili deklaroi se për shkak dhe të kohës së gjatë aë kishte kaluar, nuk i kujtoheshin detaje rreth ngjarjes, por edhe se një pjesë e mire të kompetencave të tij si kryetar bashkie, ai i kishte deleguar tek n/kryetarët e bashkisë.

Gjithashtu, shtetasi Safet Gjici deklaroi se në muajin Prill ishte angazhuar në fushatë elektorale dhe nuk është marrë fare me punët e bashki, për shkak se dhe ligji zgjedhor nuk ia lejonte një gjë të tillë”, thuhet në dosjen e SPAK.Kjo e fundit duhet të vijojë hetimet për të bindur gjykatën mbi fajësinë e Gjanës dhe zbardhjen e veprës penale në dy tenderat.

Gjana akuzohet se i ka mohuar tenderimin në mënyrë të paligjshme një kompanie hidrokarburesh, duke i shkaktuar edhe dëmin financiar miliona lekë.

Njoftimi zyrtar i GJKKO: 

“1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Miratimin e “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.

2. Në seancën e datës 30.04.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 63 Regjistri Themeltar, datë 30.04.2024 vendosi:

1. Refuzimin e miratimit të “Marrëveshjes mbi Pranimin e Fajësisë dhe Caktimin e Dënimit”, të lidhur më datë 01.03.2023 midis Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurit Granit Gjana, në praninë e mbrojtësit, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga neni 258/2 i Kodit Penal.

2. Kthimin e akteve Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që i përkasin procedimit penal Nr. 115, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Granit Gjana.

3. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 30.04.2024.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”. /ZOOM.AL/