zoom

In Zoom

Investimet nuk janë kryer, por Kastrati fut në xhep miliona euro nga Aeroporti i Tiranës

Kur Aeroporti i Rinasit kaloi në menaxhimin e Kastrati Group në fillim të vitit 2021, u njoftua një paketë investimesh nga pronarët e rinj prej 100 mln eurosh. Paketa përfshinte zgjerimin e kapacitetit akomoduese të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës dhe rritje të cilësisë së shërbimeve.

2 vite më vonë, thuajse asnjëra nga këto investime nuk është realizuar nga Kastrati Group siç ishte prashikuar në kontratë, përveç se asaj të tejkalimit të fitimeve të pritshme për të.

Deri në gusht 2023, Shqipërinë e vizituan mbi 7 mln turistë, shifër që do të rritet përsëri deri në fund të vitit. Shumica prej tyre zgjedhin rrugën ajrore si formë udhëtimit dhe në Shqipëri i vetmi aeroport funksional është ai i Rinasit. Sipas marrëveshjes së miratuar në parlament nga mazhoranca socialiste në fillim të vitit 2021, koncesionari, pra “Kastrati Group” merr 10 euro taksë aeroportuale për çdo biletë apo pasagjer mbi 12 vjeç që hyn apo del nga ky aeroport.

Të ardhurat e aeroportit të Tiranës u rritën me 48.5 për qind vitin e kaluar duke arritur në 8.3 miliardë lekë (80 milionë euro), teksa rritja e turizmit dhe fluksi i lartë i pasagjerëve e ka shndërruar biznesin e aeroportit në një nga me fitimpruresit

Investimet e pakryera

Vera e 2023-shit konfirmoi se keqmenaxhimi i një infrastrukture aq me rëndësi sa aeroporti i kushton fort dinjitetit të një shteti. Ishte pikërisht situata kaotike në aeroportin e menaxhuar nga Kastrati kryefjala e kësaj vere si nga turistët e huaj që erdhën në Shqipëri dhe nga shqiptarët që e lanë atë. Aeroporti nuk mundi të menaxhojë dot fluksin e turistëve, gjë që do të ishte shumë më e lehtë nëse investimet e premtuara do të kryheshin. Ardhjet e turistëve ishin të parashikueshme dhe kapacitetet nuk u shtuan.

Terminali i ri i premtuar përfundoi të ishte ndarje e terminalit të vjetër, që rezultoi jo vetëm në një projekt të shëmtuar, por edhe jo funksional. Udhëtarët tani ngjeshen gjithnjë e më shumë në ato hapësira që ishin përllogaritur për të pritur deri në 2 – 3 milionë pasagjerë në vit. Vitin e kaluar në Rinas kaluan 5.2 milionë pasagjerë.

Vendosja e lexuesve digjitalë të pasaportave elektronike është një problem më vete: herë punojnë e herë jo. Kjo ka bërë që udhëtarët të grumbullohen nëpër sportelet e policisë kufitare, pasi nuk i besojnë më sistemit elektronik.

Nga ana tjetër, as pista e avionëve nuk është zgjeruar dhe nuk ka asnjë detaj se kur mund të ndodhë. Cilësia e shërbimeve në aeroportin Nënë Tereza, jo vetëm nuk është përmirësuar siç premtoi drejtori i TIA, por konsiderohet në nivele të mjerueshme, pavarësisht propagandës që bëjnë herë pas here kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku apo kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Qeveria mbyll sytë…dhe email-et

Ndonëse ndodhet në një pozitë monopolistike, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka hapur kurrë një hetim për aeroportin dhe grupin menaxhues, por herë pas here hap një të tillë për taksitë që operojnë aty pranë, si për t’u tallur me qytetarët.

Ministria e Infrastrukturës, drejtuar nga Belinda Balluku, ish-shefe e Aviacionit Civil në vend, ka në përgjegjësi kontrollin e aeroportit Nënë Tereza dhe verifikimin e zbatimit e respektimit të kontratës koncesionare. Nuk dihet nëse Balluku e ka bërë për këtë, por mungesa e informacionit publik e vë në dyshim.

Pak kohë më parë, Zoom.al kontaktoi ministrinë e Infrastrukturës në adresën zyrtare të saj dhe nuk mori kurrë një përgjigje. Pyetjet ishin pikërisht me investimet e premtuara, por të pakryera nga Kastrati Group në aeroportin e vetëm të vendit. Email-i është nisur që në korrik të këtij viti.

Shtyrja e koncesionit me 20 vjet

Qeveria vendosi ta shtyjë me ligj të posaçëm të miratuar në parlament kontratën koncesionare të aeroportit të Tiranës me 13 vjet kur koncesioni iu ble kinezëve nga Kastrati Group. Në kohën kur u ble, kinezët kishin edhe 7 vjet kontratë. Kjo do të thotë se Kastrati Group e ka marrë për 20 vjet menaxhimin e aeroportit.

Në këmbim të zgjatjes së kontratës në 20 vjet, koncesionari do të plotësonte dy kërkesa: 1) lejimin e operimit të një aeroporti tjetër ndërkombëtar; 2) investimin e 100 milionë eurove për aerportin e Tiranës.

Në këtë mënyrë, me marrëveshjen mes qeverisë dhe Kastrati Group, u hap aeroporti i Kukësit. Por edhe ky aeroport menaxhohet nga Kastrati Group. Megjithatë, aeroporti i Kukësit ka funksionuar vetëm pak muaj, me fluturime të papërfillshme. Shumicën e kohës ai ka qëndruar i mbyllur. Në këtë mënyrë aeroporti i Tiranës ka vijuar të mbajë monopolin në pjesën më të madhe të kohës. Edhe kur ka operuar, ai i ka shërbyer sërish grupit Kastrati, në një situatë monopolistike që, sipas ekspertëve, shkel kushtin e vendosur në kontratën për shtyrjen e afatit të koncesionit të Aeroportit të Tiranës.

Përsa u përket investimeve të 100 milionë eurove, ato jo vetëm nuk janë kryer, por rezultojnë të papërfillshme kundrejt fitimeve që po merr koncesionari nga Aeroporti.

Vetëm në vitin e parë të operimit koncesionari mori 30 milionë euro fitime nga taksa e pasagjerëve. Në vitin 2022 ai deklaroi 40 milionë euro fitime. Këtë vit, me rritjen e numrit të pasagjerëve fitimet përllogariten në 50 milionë euro.

Vetëm në këto 3 vite operim, Kastrati Group ka mundur të marrë mbrapsht investimin e premtuar të 100 milionë eurove. Këto shifra hedhin poshtë përllogaritjet e bëra nga “ekspertët e qeverisë” se kompanisë koncesionare do t’i duheshin 20 vjet për të marrë mbrapsht 100 milionë eurot që do të investonte dhe fitimin e pritshëm nga investimi.

Kështu, fitimet që do të vijnë nga 17 vitet e tjera të menaxhimit të aeroportit do të shkojnë të gjitha në xhepat e Kastrati Group. Nëse flukset e pasagjerëve do të jenë në këto shifra, në 17 vjet Kastrati pritet të fitojë rreth 700 milionë euro.

Pavarësisht se fitimet e 3 viteve kanë nxjerrë në pah problemet e kontratës koncesionare, qeveria nuk ka ndërmarrë deri tani asnjë hap për rinegocimin e saj. /Zoom.al