zoom

Lajme

Inter tenton rekordin historik të Juventusit. Shifra, fakte dhe kur mund të shpallet kampion

Ashtu si Napoli një vit më parë, edhe Interi që në shkurt ka nisur të bëjë llogaritë për të kuptuar se kur do ta festojë titullin kampion në mënyrë matematikore.

Tifozët tashmë e kanë autorizimin ta bëjnë, sidomos pas fitores 4-0 kundër Atalantës dhe vendit të parë të blinduar me 12 pikë më shumë sesa Juventusi. Dhe llogaritë janë të thjeshta.

“Zonja e Vjetër” është në vendin e dytë dhe nëse do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit do të grumbullojë 93 pikë. Në këtë mënyrë, Interit do t’i duheshin ende 25 pikë për të siguruar titullin.

Nëse distanca mes zikaltërve dhe Juventusit do të qëndrojë e njëjtë, atëherë do ta festojë titullin në javën e 35-të të kampionatit, kur do të përballet me Sasuolon në fundjavën e 4-5 majit. Sigurisht që data mund të ndryshojë në varësi të rezultateve të javëve të ardhshme.

Ecuria e Interit në këtë sezon ka bërë që të dridhet një rekord i Juventusit të Antonio Kontes. Sezoni 2013- 2014 për momentin është në histori si ai që janë grumbulluar më shumë pikë dhe e arriti Konte me Juventusin (102).

Për 10 vite asnjë skuadër nuk ia ka dalë që ta thyejë. Por ky Inter mund t’ia dalë. Në javën e 26-të, zikaltrit kanë 69 pikë, po aq sa kishin bardhezinjtë në të njëjtën javë. Zikaltrit po ashtu kanë arritur të parakalojnë edhe me 1 pikë Napolin e Spaletit që në këtë moment kishte 68 pikë.

Nëse zikaltrit vazhdojnë me të tilla rezultate dhe me këtë ecuri fantastike, mund të arrijnë kuotën e 102 pikëve. Sigurisht që me kalimin e javëve mund të fillojnë të mendojnë edhe për Champions-in, por këto janë llogari që do të bëhen hap pas hapi. Në Milanon zikaltër, për momentin duan vetëm titullin kampion. /ZOOM.AL/