zoom

Politikë

Inceneratori/ ERE nuk cakton çmim për energjinë, Balluku: Ministria s’mund t’i bëjë presion

Enti Rregullator i Energjisë është bërë temë diskutimi sot në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve teksa ka qenë duke dëshmuar ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit Belinda Balluku.

E vënë përballë pyetjes së deputetit Helidon Bushati për masat e marra ndaj ERE-s për të përcaktuar çmimin e energjisë që impianti i Elbasanit prodhon, ministrja tha se i kanë dërguar shkresa për të marrë një vendim duke theksuar se kjo është maksimumi që mund të bëjnë.

E pyetur se pse nuk ka filluar prodhimi i energjisë dhe dalja e saj në treg nga inceneratorët, Balluku u shpreh se është ERE ajo që vendos çmimin dhe se kjo gjë nuk është në kompetencat e ministrisë.

Diskutimi:

Bushati: A do bëni nismë ligjore për Fierin?

Balluku: Ju doni një përgjigje tjetër por s’ua bëj dot këtë favor, ju kënaqeni vetëm nëse merrni përgjigjen  që doni. Në nenin 26 të kontratës përcaktohet se më përfundimin e kontratën menjëherë i transferon te autoriteti kontraktues në gjendjen që është të gjitha të drejtat e koncensionit… E konsideroj një nga arritjet më të mëdha që sot të do të prodhojë të ardhura. Nga malet e plehrave sot do të kemi një prodhim energjie të pastër e cila do të shërbejë në shëndoshjen e financave të bashkive.

Bushati: S’ka nevojë për ndihmesë Balluku, po e sugjestiononi(iu drejtohet anëtarëve të PS). Impianti i Elbasanit deri më sot nuk ka çmim të energjisë që prodhon, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Fierin. A ndiheni përgjegjëse që nuk e keni zgjidhur këtë hall?

Balluku: Më vjen mirë që pushtetet janë të ndara. Ministria nuk merr përsipër t’i bëjë presion ERE-s se kur do të nxjerrë çmimin. VKM e 9 nëntorit 2016 ka pasur një proces me ERE-n. Ne si ministri në pozicionin e pushtetit qendror duke respektuar autoritetin e rregullatorit të zgjedhur jemi vënë në dijeni që gjykata e shkallës së parë i kërkon ERE-s të shprehet për çmimin. Ne i kemi rikërkuar ERE-s që të marrë masa për përcaktimin e shitjes së energjisë sipas dispozitave ligjore të ERE-s . Kjo është detyra e ministrisë.

Bushati: Në 2019 ERE-s ka marrë një vendim. Sot jemi në 2022 dhe fakti është se nuk ka çmim. Impianti i Elbasanit nuk hedh në rrjet energji elektrike.

Balluku: Jam e disponueshme sot dhe mund të qëndroj sa të doni dhe mund t’ja bëjmë pyetjen njëri tjetrit sa herë të doni. ERE zgjidhet nga parlamenti shqiptar. Ministria i ka drejtuar ERE-s shkresa për t’i thënë se duhet të angazhohen për përcaktimin e çmimit nuk ka masa të tjera shtrënguese. Kjo është e mira e qeverisë Rama që nuk përdor instrumente të tjera për të bërë presion.

Bushati: Pse nuk ka dalë në treg kur energjia sot është shumë e lartë?

Balluku: Dalja në treg të lirë duhet bërë në parametrat e legjitimitetit. Dy ditë para dorëzimit të impiantit te bashkia, është vendosur në sekuestro. Do të përdoret sa më shpejt.

Dëgjesa ndaj Ballukut nisi me një pyetje të anëtarit të Partisë Demokratike në komision, Helidon Bushati. Ky i fundit e pyeti ministren Balluku nëse ajo do ta firmoste sot një kontratë koncesionare si ajo e ndërtimit të impianteve të përpunimit të mbetjeve. Ministrja Balluku refuzoi t’i përgjigjej një pyetje të tillë, pasi sipas saj nuk ishte thirrur në komision për të dhënë mendimet dhe opinionet e saj.

E para që dëshmoi sot në komision ishte ish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit për inceneratorin e Tiranës, Valbona Ballgjini e cila tha se është pyetur nga SPAK dhe nuk mund të jap asnjë detaj për shkak të sekretit hetimor. Nga ana tjetër Tabaku tha se mos dëshmimi në komision vepër penale, megjithatë ajo shton se Ballgjni ka ardhur në komision dhe se vetë komisioni nuk mund të diktojë përgjigjet e saj.

Kjo ka sjellë reagimin e anëtares së PS, Ermonela Felaj e cila i tha Tabakut se po bën presion ndaj dëshmitarëve.  Dëshmia e kryebashkiakes së Durrësit Emiriana Sako është shoqëruar me përplasje, teksa kjo e fundit tha se depozitimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës i tha fund emergjencës mjedisore në qytet. Pas debateve kryetarja e bashkisë së Durrësit, ka braktisur mbledhjen në komisionin hetimor, ndërsa Tabaku paralajmëroi se do ta kallëzojnë penalisht. Në komisionin Hetimor sot u thirr sërish për të dëshmuar administratorja e Inceneratorit të Tiranës Ariola Kodra, por nuk u erdhi. Kujtojmë se Kodra nuk është paraqitur në tre thirrje të Komisionit, ndërsa ligji parashikon shoqërimin me forcë nga Policia e Shtetit e personave që refuzojnë dëshminë në Komisionin Hetimor.