Aplikacion
Në një klimë të tensionuar politike para zgjedhjeve të 11 majit dhe ku drejtësia ka nisur të godasë majat e pushtetit, Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha po mban gjallë një shpresë të dyfishtë: ardhja e Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe shpallja e luftës kundër “Soros”, rrit mundësitë që Shtetet e Bashkuara ta rishikojnë shpalljen “non grata” të Berishës; dhe administrata amerikane, nën ndikimin e republikanëve dhe ndryshimeve në politikën e jashtme, ka shumë gjasë ta shpallë Edi Ramën një figurë të padëshiruar për shkak të lidhjeve me George Soros.
Kjo narrativë mund të shërbejë për të ushqyer mbështetësit e opozitës dhe deri tani ia ka dalë të zgjojë shpresë brenda radhëve të tyre, por a është ajo realiste? A ka ndonjë precedent apo fakt që e mbështet këtë skenar, apo është thjesht një iluzion politik që synon të mbajë PD-në në lojë deri në zgjedhjet e majit?
Po të shohësh historikun, rastet e heqjes së statusit “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë jashtëzakonisht të rralla dhe të pazakonta. Deri më tani, asnjë lider i shpallur “non grata” nuk ka arritur ta kthejë pas këtë vendim. Por me ardhjen e Donald Trump në pushtet, asgjë nuk duket e parelizueshme. Para 20 janarit, askush nuk do ta kishte besuar se vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të shpallej “non grata” për zyrat federale amerikane, me vendim të presidentit Trump.
Nga ana tjetër, edhe ideja se Edi Rama mund të shpallet “armik” i Amerikës vetëm për shkak të lidhjeve të tij me George Soros ngjan me një tjetër iluzion politik. Është e vërtetë që ka një valë kritike ndaj ndikimit të Soros në politikën ndërkombëtare dhe në organizatat joqeveritare dhe kjo është reflektuar edhe në Kongresin Amerikan përmes deklaratave të republikanëve si Marjorie Taylor Greene, e cila tha se fondet e USAID ishin përdorur për të bërë ndryshime në gjyqësorin shqiptar që kanë rezultuar me goditjen e Sali Berishës. Megjithatë, duket e pabesueshme që SHBA të ndëshkojë liderë politikë të vendeve aleate vetëm sepse ata kanë lidhje me Soros apo sepse kanë përfituar nga fondet e USAID.
Edi Rama ka qenë një partner i besueshëm për Uashingtonin dhe për shumë politikanë e analistë politikë ky fakt ka pak gjasa të ndryshojë, sikundër ka pak gjasa që politika amerikane të ndryshojë duke u bazuar në hakmarrje të momentit.
Megjithatë, zhvillimet e ditëve të fundit në Uashington kanë thyer çdo kufi logjik. Kritikët e Edi Ramës kujtojnë faktin se në 3 vitet e fundit nuk ka pasur mik më të besueshëm për Amerikën sesa presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Por presidenti Trump e quajti atë vetëm pak ditë më parë “një diktator”. Dhe në vend që të ulej me Zelensky-n për të diskutuar rrugëdaljen nga lufta me Rusinë, Trump nisi bisedimet me Moskën duke e përjashtuar Kievin plotësisht nga negociatat.
Kritikët e opozitës mendojnë se narrativa që po ndërton PD nuk është e bazuar në realitetin diplomatik, por në nevojën për të mbajtur të mobilizuar një elektorat të demoralizuar. Edi Rama po jep të njëjtin mesazh. Nga selia e tij po shpërndahen lajme ende të paverifikuara se ai do të udhëtojë së shpejti në Uashington.
Nga ana tjetër, opozita po përdor kartën e një “shpëtimi nga jashtë” për të mobilizuar radhët e saj përballë përçarjes që solli shpallja “non grata” e Berishës, “miqësia” e Lulzim Bashës me Edi Ramën dhe hetimet e SPAK për Berishën dhe Ilir Metën. Edhe nga Selia Blu po “rrjedhin” informacione se Berisha mund të udhëtojë drejt Uashintonit para zgjedhjeve të majit.
Por nëse PD vazhdon të besojë dhe të propagandojë këtë strategji si të vetmen rrugë për fitore më11 maji, rrezikon të bjerë në një qorrsokak politik.
Në politikë, iluzionet mund të ndihmojnë për të fituar kohë. Por 11 maji po afron dhe nëse nga Uashingtoni nuk do të ketë shprehje të mbështetjes së hapur për opozitën apo të goditjes për Edi Ramën, iluzionet do t’ia lënë shumë shpejt vendin realitetit, ku opozita do ta shohë veten sërish përballë Ramës dhe makinerisë që ai ka ndërtuar prej vitesh për të mbajtur pushtetin.
Veç të tjerash, reforma në drejtësi, pavarësisht akuzave që vijnë nga parti politike apo aktorë të tjerë, vazhdon të mbështetet nga SHBA e BE. Është e vërtetë që USAID dhe OPDAT nuk e asistojnë më SPAK -un dhe GJKKO -në, për shkak të pezullimit të fondeve, por agjentët e FBI dhe DEA janë në SPAK dhe nuk ka asnjë indikacion që do të mund të largohen.