Aplikacion
Në një intervistë për “France Football”, Ibra u pyet se si e shikon veten në krahasim me Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon, dy yjet më të mëdhenj të futbollit botëror në 15 vitet e fundit.
“Nëse flasim për cilësi, nuk kam asgjë më pak nga ata. Kur kolektivi punon, individi del në pah. Individi nuk mund të jetë i mirë nëse ekipi nuk është në lartësinë e duhur. Unë mendoj se jam më i miri në botë”, shprehet Ibra.
Zlatan Ibrahimovic ka qenë disa herë në listën e kandidatëve për Topin e Artë, por pa e fituar kurrë këtë çmim. Kur u pyet nëse i mungon ky vlerësim, Ibra tha shkurt: “Nuk më mungon, përkundrazi. Topit të Artë i mungoj unë”.
Në fund, Ibra zbuloi edhe se çfarë dëshiron që të bëjë pasi të tërhiqet nga futbolli: “Pasi të mbyll karrierën, dua të zhdukem. Kur jeton kaq gjatë sa unë në botën e futbollit, njeriu e di mirë se çfarë i është dashur të kalojë mendërisht dhe fizikisht. Prandaj, vetëm dua të zhdukem dhe të shijoj jetën”.