zoom

Politikë

I shkarkuar! Nga shofer i “Escobarit të Ballkanit” te mashtrimi i parlamentit, skandalet e Ardi Veliut në krye të policisë

Me bekimin e Fatmir Xhafajt, ministrit të brendshëm të asaj kohe, Ardi Veliu u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit më 6 shkurt të 2018, në shkelje të ligjit për Policinë e Shtetit. Drejtori i sapoemëruar i policisë së shtetit nuk përmbushte kushtet dhe kishte kapërcyer dy grada për të marrë postin, sipas denoncimeve të opozitës.

Që nga dita e emërimit që nisi me një shkelje, deri në shkarkimit e tij pak minuta më parë, karriera e Ardi Veliut në krye të policisë së shtetit është shënjuar nga disa ngjarje të rënda.

Vetë Veliu, jo vetëm që nuk pranoi asnjë përgjegjësi (qoftë edhe morale) për vrasjet e bujshme, mes tyre edhe raste kur polici vret qytetarin, apo qytetari policin, por nuk gjeti as guximin për të dhënë dorëheqjen.

Në disa nga rastet, numri një i policisë së shtetit shqiptar, zgjodhi të godasë viktimat e tij.

Po cilat janë disa nga ngjarjet më të rënda të ndodhura gjatë drejtimit të Veliut?

Në kohën e Ardi Veliut, kanë ndodhur disa prej përplasjeve më të rënda kriminale dhe disa prej vrasjeve më të forta mafioze.

Në Vlorë, në Durrës, në Elbasan, në Shkodër, në Lezhë, dhe sigurisht në Tiranë. Në mes të bllokut, në zonën që duhej të ishte më e sigurta, krimi ka goditur me disa herë. Ardi Veliu mbahet mend për episodin qesharak, kur shfaqej si shofer i Klement Balilit, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, apo edhe për rastin kur i hakërrohej në sy të deputetëve një nënë, së cilës policia i kishte dhunuar djalin.

PD e ka akuzuar Ardi Veliun se “Në vitin 2002-2003, kur shërbente më policinë e Vlorës, ka qenë i implikuar në veprimtari të paligjshme. Ka qenë i implikuar në lëvizjet klandestine. Ka favorizuar kontrabandën e naftës. Ka ndihmuar një polic për pasaporta fallco”. Skedës së integritetit të kryepolicit, i shtohet edhe funksionimi si shofer i trafikantit të drogës Klement Balili apo bashkëpunimi me trafikantin tjetër ndërkombëtar të drogës, Agron Xhafaj, prej të cilit mban sot edhe detyrën më të lartë në policinë e shtetit.”

Ne do analizojmë vetëm 4 prej rasteve më flagrante.

Veliu, shofer i “Eskobarit të Ballkanit”

Klement Balili ishte një prej personave më të kërkuar në Shqipëri. Zyrtari i LSI në mediat e vendit fqinj njihej si “Escobari i Ballkanit”. Balili, i cili kërkohej për llogari të drejtësisë greke dhe asaj shqiptare, i dyshuar si personi që drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës në Ballkan drejt Europës, vendosi që të vetëdorëzohej pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Ne pamundësi për ta arrestuar, Veliu u shfaq si shoferi i tij, pasi e shoqëroi nga Delvina në Tiranë, me një makinë luksoze.

Me këtë veprim ai shkatërroi figurën e policisë, pasi agjencia më e rëndësishme e zbatimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë në vend, tregoi dobësi, pasi u shndërrua në “taksi” për një shumë të kërkuar.

Veliu është akuzuar nga opozita si i përfshirë në manipulimin e dëshmitarëve, si, në rastin e njohur si “Babale”. Gjithsesi, kjo nuk mjaftoi që ai të shkarkohej.

Mashtrimi i parlamentit dhe justifikimi i dhunës policore

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, (tashmë i shkarkuar) u përfshi edhe në një skandal tjetër, i cili nëse ne do të ishim një vend normal, do të pasohej me shkarkimin e tij të menjëhershëm.

Teksa raportonte në Komisionin e Sigurisë më 29/05/2020, për dhunimin e një të mituri nga policia, ai sulmoi familjen e tij dhe mashtroi publikisht parlamentin. Në mënyrë të turpshme Veliu e justifikoi dhunën ndaj djalit duke thënë ndër të tjera se “shih nga ç’familje vjen ai” duke publikuar një video ku e ëma e tij shfaqet me pistoletë në dorë.

Video në fakt që publikoi Veliu, është pjesë e një filmi ku nëna e djalit interpretonte si aktore. Pra, nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të vërtetë, por është skenë në kuadër të një filmi. As ky skandal, dhe as dhuna verbale dhe fizike ndaj një familje, nuk u pasuan me shkarkimin e Ardi Veliut.

Vrasja e Klodian Rashës

Vrasja e Klodian Rashës nga një efektiv policie, ishte padyshim ngjarja më tronditëse që ka ndodhur në Shqipëri vitet e fundit.

I riu u ekzekutua nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, vetëm se kishte shkelur orën policore, ndërsa ngjarja shkaktoi zemërim të madh në opinionin publik.

Mijëra qytetarë, të rinj dhe të moshuar, të majtë dhe të djathtë, dolën në shesh dhe kërkuan largimin e Sandër Lleshajt dhe Ardi Veliut. Pak ditë pas krimit, “ministri” reflektoi dhe dha dorëheqjen, por nuk bëri të njëjtën gjë kryepolici.

Protestat vazhduan disa ditë, por në vend të dorëheqjes, Veliu zgjodhi strategjinë e dhunës ndaj protestuesve.

Vrasja e policit në Lezhë

As vrasja në krye të detyrës e Saimir Hoxhës, efektivit që u ekzekutua pak ditë më parë në Lezhë, nga i riu Aldi Rama, nuk e bindi Ardi Veliun të jepte dorëheqjen.

Në vend të kërkim faljes ndaj familjes së të ndjerit dhe largimit nga detyra, si një shenjë përgjegjësie morale, Veliu u shfaq në ceremoninë e vendosjes së yllit, ndërsa i dorëzoi flamurin familjes së efektivit.

Afati i Ramës “i ha kokën”

Ardi Veliu u shkarkua pas afatit 100 ditor që kryeministri Edi Rama kishte caktuar ndaj tij për punën e dobët të Policisë së Shtetit. Por kryepolici, jo vetëm që nuk bëri ndonjë përmirësim, pasi jo më larg se dje në Elbasan ndodhi një vrasje e dyfishtë, ndërsa në Vermosh u rrëzua një avion që dyshohet se po transportonte drogë.

Tashmë që policia e shtetit është “çliruar” nga një emër me bilanc negativ dhe të mundur nga krimi, pritet me interes emërimi i një personi të pakontestuar, për ta çuar përpara punën e policisë dhe për të rivendosur besimin e publikut./ Shqip