zoom

Politikë

“I.M spiun i Sigurimit”/ Apeli detyron Prokurorinë të fillojë hetimet ndaj Autoritetit të Dosjeve

Gjykata e Apelit vendosi të detyrojë Prokurorinë e Tiranës që të fillojë hetimet ndaj Autoritetit të Dosjeve, pas kallëzimit që Ilir Meta i bëri këtij institucioni për shpërdorim detyre dhe falsifikim ndaj emrit të tij

Ish-presidenti Ilir Meta kallëzoi penalisht Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik, kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.

Në kallëzimin drejtuar SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, Meta kërkonte që të bëhet hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë.

Kjo përplasje e Metës me autoritetin e Dosjeve lindi pasi nga institucion ishte depozituar një shkresë në Kuvend ku theksohej se ish presidenti dyshohej si spiun i ish sigurimit të shtetit, edhe pse anjëherë nuk e thanë publikisht por e lanë të kuptohej sa here që i referoheshin Metës me inicialet I.M..

Për të sqaruar vendimin, Apeli ka dalë me një njoftim zyrtar për mediat.

“Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është shqyrtuar çështja penale që i përket ankuesit Ilir Metaj, me objekt: Ankimin ndaj vendimit “Për mosfillimin e procedimit penal”, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal paraqitur nga ankuesi, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë  me vendimin e datës 18.11.2022 ka vendosur:

Shfuqizimin e vendimit “Për mosfillimin e proçedimit penal” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal

Detyrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetimet përshkruar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës dhe lënien në fuqi të vendimit mbi “Mosfillimin e procedimit penal”.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 01.06.2023 në dhomë këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftimin e Apelit.