zoom

Aktualitet

I dha “OK” marrëveshjes me Italinë për emigrantët, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i hap rrugë firmosjes në Kuvend marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampit në Gjadër për pritjen e emigrantëve.

Trupa gjykuese argumenton mes të tjerash se është e nevojshme ndihma e Shqipërisë në drejtim të menaxhimit në mënyrë efektive të flukseve migratore. Sipas gjykatës, shteti shqiptar zotohet për të përballuar dhe luftuar këtë fenomen jo vetëm me Italinë, por edhe me Bashkimin Evropian.

Shqipëria, sipas vendimit, është një shtet që ofron besim dhe garanton të drejtat themelore të njeriut.

Po ashtu, procedurat e negocimit nga pala shqiptare, referuar gjykatës, janë zhvilluar rregullisht dhe në përputhje me parashikimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare.

Territori i Republikës së Shqipërisë nuk cenohet për sa kohë që nuk preket territori fizikisht, shton gjykata.

“Vendosëm deklarimin e Protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit” në pajtim me Kushtetutën dhe lejimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Ky vendim u njoftohet menjëherë Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në përfundim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.