zoom

Aktualitet

I dënuar përjetë, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Redjan Rrajës, mes tyre ‘Audi’ i Kejvinës

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Redjan Rrajës, i dënuar me burgim përjetë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Mes pasurive që kërkohet konfiskimi është edhe “Audi” i Kejvina Kthellës, me të cilën Redjan Rraja ka pasur një lidhje jashtë martesore, që u zbulua pas atentatit më 1 Nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur ish-prokurori i Durrësit Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho alias Pellumb Muharremi i njohur si Rrumi dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:

  1. Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë
  2. Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë
  3. Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë
  4. Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë
  5. Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë
  6. 2 (dy) Automjete të tipit “Audi – A8”
  7. Automjet i markës “Bentley” tipi Continental
  8. Një orë dore tip “Roleks”
  9. Shuma prej 2750 Euro
Arjan Ndoji

Arjan Ndoji

Dënimi me burg përjetë

Më 4 korrik 2023, Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë Redjan Rrajën me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.

Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 35 vite burg edhe Arjol Halilajn, i cili sipas SPAK ka pasur rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes.

Sipas akuzës, nipin e deputetit të PS-së e implikon AND-ja e gjetur në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij, të gjetura në makinën e autorëve, por edhe elementët biologjikë në rroba, kapele e një palë doreza ngjyre te zezë.

Për prokurorinë, zbërthimi i dy telefonave dhe transkriptimi i komunikimeve me platformën SKY EÇ, janë të tjera provat që implikojnë të akuzuari në atentatin e ndodhur tek Ura e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës. Nga transkriptimi i komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar terma si “bidon”, “benzin”, “autostradë.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Rraja ka qenë në vendin ku ndodhi atentati ditën e ngjarjes, pasi vendndodhja e tij është lokalizuar dhe sipas aplikacionit në telefonin e tij ai për 7 minuta ka kryer 886 hapa, veprime këto intensive dhe të sforcuara që sipas SPAK, tregojnë angazhimin në krim dhe largimin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Telefoni i Rrajës para ngjarjes është loguar në rrjetin VVireless të lokalit të Plaurent Dervishajt, i cili është në kërkim si porositësi i atentatit. Sipas SPAK, Arjol Halilaj ka marrë dy ekzekutorët me një automjet “Honda” dhe I ka larguar nga vendi I ngjarjes. Redjan Rraja I ka mohuar akuzat gjatë gjithë kohës pas arrestimit.

Redjan Rraja

Redjan Rraja

Audi i Kejvinës

Rraja mohon të ketë lidhje me automjetin e modeles dhe deklaron se “Audi” është në pronësi të saj dhe jo të tij. Ai mohoi kategorikisht që të ketë ndihmuar Kejvina Kthellën në blerjen e automjetit luksoz.

“Kam pasur marrëdhënie miqësie ne Kthjellen, por asgje tjetër. Ajo makinë ka qenë më emeër mbiemer të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është i saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja.

Në lidhje me të ardhurat e tij, Rraja tha se kishte tre klinika stomatologjike dhe se siguronte deri në 200 milonë lekë të vjetra në vit.

“Asnjëherë nuk kam shpenzuar më shumë se fitimet e mia”, tha ai.

Dëshmia e ish-velinës

Përgjimet e vjehrrës së Redjan Rrajës kanë zbuluar raportin mes tij dhe ish-velinës, ku gjatë një telefonate ajo shprehet se “kanë dalë llafe se shkonte me një tjetër mi… jetonte me një tjetër…”

Nga ana tjetër në dëshminë e saj për policinë (datë 05.11.2019), Kejvina Kthella ka pranuar lidhjen jashtëmartesore me Redjan Rrajën.

“Herën e fundit që jam takuar me Redjanin ka qenë ditë e enjte, datë 31.10.2019. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes unë ndodhesha në banesë dhe ka ardhur Redjani. Kemi qëndruar gjatë natës së bashku dhe në mëngjes, më datë 01.11.2019, rreth orës 10:30 unë jam larguar për në punë, ndërsa Redjani qëndroi në banesë. Kam komunikuar gjatë ditës me të disa herë dhe ai është larguar nga banesa dhe kishte shkuar në Durrës me disa miq të tij.

Ishin duke pirë diçka me sa më tha ai, por nuk di detaje me saktësi. Dua të them se unë kam komunikuar thuajse çdo ditë me Redjanin në telefon, por nuk jemi takuar. Me sa mbaj mend, ditën e shtunë, më datë 02.11.2019, kur kam komunikuar në telefon,  Redjani më ka thënë se ishte jashtë shtetit.

Po kështu, edhe ditën e diel, më datë 03.11.2019 kemi komunikuar normalisht rreth orëve të paradites dhe thjeshtë kemi bërë bisedë normale. Unë komunikoj nëpërmjet telefonit tim, me numër 06924 XXXXX, Redjani disponon numrin e telefonit 06920 XXXXX””, është shprehur modelja.

Nga dentist në kriminel

Njohjet mes Redjan Rrajës dhe bosëve të krimit ndodhën në burgun e Fushë Krujës, ku ai punonte si dentist.

“Në aplikcaionin Sky, i cili u thye nga SPAK, pjestarët e tjerë të grupit kriminal e thërrisnin Redjan Rrajën si doktori, kjo dhe për shkak të së kaluarës së tij. Njerëzit e botës së krimit ai i njohu në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, ku shkonte për t’i mbushur apo rregulluar dhëmbët”, tha gazetarja Klodiana Lala.

Ndërsa ka shtuar: “Aty filloi të lëvizte dhe me “OK” e tij, shumë bosë të krimit dilnin me leje dhe shkonin të rregullonin dhëmbët në klinikën e Redjan Rrajës. Aty filloi të krijonte lidhjet e para dhe më pas mori përsipër kryerjen e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji”./ZOOM.AL