Aplikacion
Burime zyrtare nga Policia bënë me dije se Laert Haxhiu u ekstradua sot, me ndihmën edhe të forcave RENEA, për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore, nëpërmjet Kakavijës.
Në masakrën e 2017-ës, në luftë mes bandave rivale dhe hakmarrjes, humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet se ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.
GJKKO e ka dënuar me burg përjetë Haxhiun në mungesë, teksa ishte i ndaluar rastësisht gjatë një aksioni në Greqi vitin e kaluar. Gjykata e Apelit në Athinë do të thotë edhe fjalën e fundit për fatin e Laert Haxhiut. Po ashtu ai ka kërkuar edhe azil në shtetin grek, por kjo gjë i është refuzuar.
Për masakrën janë arrestuar e dënuar gjithashtu Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, si bashkëpunëtorë. Dëshmia e të penduarit Artan Tafani shkatërroi organizatën kriminale, pasi SPAK zbërtheu krimet dhe autorët ndër vite.
Njoftimi i Policisë:
“Ekstradohet drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Laert Haxhiu. 32-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Falë bashkëpunimit shumë të mirë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë i mundur ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, 32 vjeç. 32-vjeçari është sjellë në Kakavijë, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavije, nga Forcat Speciale “RENEA”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi:
-Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur ne tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.;
-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2020, e ka denuar me burgim të perjetshëm, per veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Historia e masakrës më 2017
Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë. Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit.
Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi.
Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.
Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera.
Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që u ekzekutua edhe Besnik Hida po në të njëtin vit. Ky i fundit daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi. Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja. /ZOOM.AL/