zoom

Aktualitet

GJKKO liron nga paraburgimi të dashurën e Laert Haxhiut. Ja çfarë u vendos për të

Lirohet partnerja e Laert Haxhiut, autori i akuzuar i “Masakrës së Lushnjës” në vitin 2017, me 2 të vrarë dhe 3 të plagosur, në sagë hakmarrjeje të përgjakshme mes grupeve kriminale.

Por Gjykata e Posaçme vendosi ndalim dalje jashtë vendit për Klea Gjatën.

Gjata u arrestua pas dëshmisë së Artan Tafanit, i cili ka statusin e të penduarit. E reja ndodhet nën hetim për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit. Ajo e ka mohuar vazhdimisht akuzën që të kishte dijeni për krimet e të dashurit të saj.

Laert Haxhiu është duke u gjykuar në mungese për atë që njihet si “Masakra e Lushnjës”, e ndodhur në shtator të 2017 dhe jo vetëm.

Në atë ngjarje humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet se ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Haxhiu ka qenë i dënuar me 16 vite burg për tentativë vrasjeje edhe në vitin 2016, sikurse dyshohet për disa vrasje të tjera brenda dhe jashtë vendit, teksa drejtonte një grup të organizuar kriminal. Ai dyshohet se ka dhënë porosi për disa vrasje me pagesë dhe i ndaluari Tafani besohet se ishte një nga ushtarët e tij. /ZOOM.AL/