zoom

Aktualitet

Humbi betejën me sëmundjen e rëndë, shuhet gazetarja e njohur shqiptare

Gazetaria shqiptare ka marrë sot një lajm të hidhur.

Një nga emrat më të njohur të saj, veçanërisht në gazetarinë ekonomike, kolegia Afërdita Selimaj u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.

Selimi ishte një ndër themelueset e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe një zë i paharrueshëm i Radio Tirana.

Afërdita e nisi rrugën e gazetarisë në vitin 1977, pasi kreu studimet e larta në fakultetin e Shkencave Politike, Dega Gazetari.

Fillimisht ajo kontribuoi në gazetë lokale “Shkëndia” në Lushnjë dhe më pas gjithë jetën si gazetare në RTSH.

Në vitin 2000, ajo u emërua Drejtore e Departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicioni që e mbajti deri në gusht të vitit 2003.

Më pas ajo drejtoi plot pasion sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana.

Në vitin 2003, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë Kryetare e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-se.

Si gazetare RTSH-së Afërdita Selimaj, ka qenë e vetmja gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për antarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Nga viti 1998 e në vazhdim, Afërdita ka drejtuar me përkushtim Lidhjen e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë, LEGA.

Për kontributin e saj mediatik në dekada Afërdita Selimaj në vitin 2021, nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Por gjatë jetës dhe veprimntarisë së saj ajo u nderuar edhe me çmimin “Vangjush Gambeta” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për raportin më të mirë radiofonik, për problemet ekonomike.

Ndërsa Federata Ndërkombëtare për Paqen në Botë në vitin 1999 e zgjodhi Ambasadore të Paqes.

Me ndarjen e saj nga jeta, humbëm një nga gazetaret  më të jashtëzakonshme dhe kontribuese të shquar në fushën e informacionit dhe gazetarisë ekonomike. Ne kolegët e saj do ta vazhdojmë ta kujtojmë me respekt, duke e vlerësuar lartë kontributin e Afërdita Selimaj në zhvillimin e medias shqiptare.

Në shenjë mirënjohjeje, dashurie dhe respekti, të premten për rreth 1 orë në hollin e RTSH do të zhvillohen homazhet e fundit për Afërdita Selimajn, nga ku më pas do të përcillet për banesën e fundit. /ZOOM.AL/