zoom

Aktualitet

Historia e privatizimit të kompleksit “Partizani” dhe përfshirja e Berishës e dhëndrit të tij

Privatizimi i kompleksit Partizani nisi në vitin 2008 dhe u mbyll brenda 6 muajsh. Pronat ku ndodhej kompleksit “Partizani” ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por i kaluan ish-pronarëve dhe përfaqësuesi ligjor i tyre ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës. Sipas marrëveshjes, Malltezi do të merrte jo më pak se 5 për qind të vlerës së pronave të kthyera.

Procesi nisi në qershor 2008 dhe gjithçka mbaroi në dhjetor të atij viti. Nga ana tjetë kompensimi në qendër të Tiranës me vlerë tepër të ulët.  Janë rreth 33 mijë metër katror tokë, ku shteti ka dhënë për pronarët 100 milionë lekë. Metoda e kompensimi përdorur nga grupi i ekspertëve është në kundërshtim të hapur me VKM 794 datë 21.11.2007 dhe të Udhëzimit Nr. 6364 datë 03.07.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe procedurën e shitjes”, të cilët përcaktojnë që vlera e objekteve të privatizuara duhet t’i referohet çmimit të tregut të lirë. Vitet e fundit,  në atë tokë janë ndërtuar dhjetra kulla, disa prej të cilave dyshohet se janë në pronësi të Jamarbër Malltezit.

Fakti i mësipërm i kthimit të pronës tek persona të lidhur me pushtetin dhe posaçërisht tek dhëndri i ish-Kryeministrit të asaj kohe (viti 2008) si dhe qëllimi tij për të ndryshuar destinacionin dhe ta kthejë në një kantier ndërtimi duke ndërtuar në finale 17 kulla banimi e shërbimesh disa katëshe, provohet dhe me themelimin në të njëjtën kohë të shoqërive Homeplan shpk si dhe Kontakt shpk. Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre.

Shoqëria themelohet nga i njëjti person në vitin 2008, konkretisht i dyshuari F. Bektashi, i cili zotëronte 100% të aksioneve dhe administrimin i vetëm, duke krijuar perceptimin se nuk ka një lidhje direkte në momentin e themelit të këtyre shoqërive por që në të vërtetë fakti që i dyshuari Bektashi shpreh vullnetin e tij duke marrë përsipër detyrimin në momentin e privatizimit dhe po në atë kohë me mbylljen e procedurës me organet publike krijon dhe shoqërinë “Homeplan” sh.p.k ,tregon që ka një garanci të madhe se mbi atë sipërfaqe do vijohet me dhënien e lejes së ndërtimit dhe me realizimin e veprës fakt që sot është i njohur botërisht se është realizuar ky qëllim. 

Faktet e mësipërme përforcohen dhe më tej ku pasi përfundon vepra në vitin 2018, i dyshuari Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja bëhen përfitues maxhoritarë të shoqërisë Homeplan sh.p.k duke kontrolluar tashmë dhe vendimarrjen e asamblesë ku Z. Fatmir Bektashi ju shet atyre në një vlerë qesharake përkatësisht Jamarbër Malltezit 35.000 lek aksionet në masën 35% dhe Xhimi Begeja 25.000 lek aksione në masën 25% në një shoqëri e cila ka një kapital 100.000 lek dhe ndërmerr realizimin e një vepre mbi 20 milion dollarë”, shkruhet në dosje

Sipas të dhënave të Agjencisë së Pronave, toka në fjalë ka qenë e pronarëve, por ajo i kaluar shtetit dhe në vitin 1940 ata janë dëmshpërblyer nga qeveri italiane, pas vendi ynë ishte pushtuar nga Italia. Madje pronarët janë shpërblyer me franga ari. Qeveria italiane kishte plane të bënte një aeroport aty dhe prandaj mori tokën. Madje toka është blerë nga Shefqet Vërlaci dhe Jako Mane. Toka, nga Rr. e Kavajës deri tek Rr. Durrësit është blerë nga italianët dhe më pas ka kaluar në duart e shtetit.

Pra, pretendentët e këtyre pronave janë kompensuar një herë nga italianët dhe më pas toka është shtetëzuar, duke i kaluar në pronësi ushtrisë.

Hetimet e SPAK nisën mbi një padi të bërë nga Taulant Balla, i cili akuzoi Berishën, dhëndrin e tij, Arben Imamin dhe disa funksionarë të tjerë për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.

Si u privatizua edhe pishina që ishte pronë e një privati tjetër

Gjithashtu një pjesë tjetër toke përfundoi në duart e ish-pronarëve të udhëhequr nga dhëndri i Berishës dhe që sipas dokumenteve të hipotekës, i përkasin një pronari privat të quajtur Esat Pira.

Bëhet fjalë për 920 metra katrorë mbi të cilën qëndronte pishina e Klub Partizanit dhe të cilat u përfshinë në totalin prej 26,524 metra katrorë të privatizuar.

Dega e Shoqërive Publike pranë Ministrisë së Ekonomisë, i kërkoi Zyrës Rajonale për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave informacion për pishinën pranë ish-Klubit Partizani.

“Kërkojmë nga ana juaj të na konfirmoni çmimin e truallit, sipas hartës së vlerës së tokës, si dhe, nëse ka vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për objektin ‘Pishina Laprakë’ pjesë e Klubit Shumësportësh Partizani, Tiranë”. Në 29 prill 2008, kreu i ‘madh’ i AKKP, Besnik Maho, përgjigjet më shkresën që po shikoni me numër protokolli 1035, ku thuhet se “objekti i mësipërm (pishina) sipas hartës treguese të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Tiranë, është në pronësi të shtetasit Esat Pira, me numër pasurie 12/27”, thuhej në dokumentin e datës 22 prill 2008.

Por ky dokument u injorua nga Ministria e Ekonomisë dhe Mbrojtjes e cila vazhdon procedurat e privatizimit edhe në atë pjesë të tokës që në të vërtetë ishte në pronësi të një personi tjetër.

Në 14 prill 2017, Esat Pira, pasi nuk gjeti drejtësi, doli publikisht dhe akuzoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, se i kishte rrëmbyer pronën tek ish-Kompleksi Partizani në Laprakë.

“Kjo është një vjedhje që po na bëhet ku pala tjetër është duke përdorur forcën e pushtetit për të ndërhyrë në organet e drejtësisë. Ata nuk kanë pasur asnjë dokument dhe kanë përfituar nga pushteti. Nuk besojmë se kjo çështje merr zgjidhje nga drejtësia shqiptare. Ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në Strasburg. Kemi të drejtën ligjore dhe të drejtën nga Zoti mbi këtë pronë”, pohoi Esat Pira, i cili ndërroi jetë pa arritur të marrë pronën e tij.

Nga kartela e kësaj pasurie, 534 m2 te mbetura nga pishina e ish-Klubit Partizani të Esat Pirës, figurojnë në pronësi të ish-pronarëve përfituesve të privatizimit. Një pjesë e parcelës prej 380 metra katrorë eshte sot pronë  e drejtorisë së rrugëve.

Ndërtimi i kullave në ish-kompleks

Në ish-kompleksin Partizani janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve.

I pyetur për akuzat e ngritura ndaj tij, Jamarbër Malltezi u shpreh se: “Kur i kthen pronën pronarit, ia kthen se shteti ka qenë hajduti. Po Edi Rama të bën milioner me një copë letër brenda ditës, me një VKM të bën pronar ai. Kurse dhjetëra pronarë këtu nuk marrin dot pronën e tyre”.

Ai u shpreh se akuzat ndaj tij se zotëron 1/64 të pronës, i ftuar në “Open”, theksoi se: “Është mashtrim i Taulant Ballës. Unë jam bashkëpronar me shumë familje të tjera. Toka ishte shumë e parcelizuar. Toka e Begejave është 28 mijë metër. Shiko ça bën ky. Gjen një nga këto vërtetimet e pronësisë, por prona ishte shumë e copëzuar.”

Në kallëzim thuhet se Malltezi ka marrë 5% garanci nga ish-pronarët dhe 25% të sipërfaqes ndërtimore për ta mbyllur këtë çështje”, e pyeti moderatorja e emisionit.

Jo është gënjeshtër. S’kam marrë asnjë nga këto përqindje, hiq ato përqindje për të cilat është dashur të bëhen shpenzime”, tha ai.

Padia e Taulant Ballës

Ish-kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e ka dorëzuar padinë në lidhje me ish-kompleksin në nëntor të vitit 2020. Privatizimi i subjektit është denoncuar shumë vite më parë nga socialistët, si një aferë e pastër korruptive e qeverisë Berisha.

“Fjala e dhënë nuk shkelet kurrë dhe qytetarëve shqiptarë qytetarëve të Tiranës prej vitit 2012 i kishim premtuar që çështjen e transferimit tek disa ish pronarë të cilët sipas vlerësimeve tona kanë problematika të lidhura me ligjin dhe falsifikimin e dokumentave zyrtare dhe përfshirjen e familjes Berisha të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi por të elementëve të shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm si vepra penale prej vitit 2012 e kemi ndjekur këtë çështje por këtë moment janë vërtetuar  të gjitha dyshimet tona sa kohë në një kompleks prej 17 kullash rezulton tashmë të jetë pronar i më shumë se 35% të vlerës të kësaj prone Jamarbër Malltezi tashmë i vërtetuar me shkresa e  dokumente zyrtare ne Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve”, ka sqaruar Balla.

Në padi thuhet se: “Gjatë kohës që vijon procedura e privatizimit nga organet publike Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave, konstatohet se i kallëzuari Jamarbër Malltezi jo vetëm që bëhet përfaqësues  ligjor për të gjithë ish pronarët pronarët, por bëhet edhe garantues i marrëdhënies finale të përfitimit të të gjithë sipërfaqes si dhe të qëllimit të  realizimit të veprës.

Fakt i cili provohet me detyrimin e të gjithë ish pronarëve që ti japin këtij të fundit jo më pak se 5% të vlerës së kthyer duke provuar kështu garancinë 100% që Jamarbër Malltezi ka për përfitimin e kësaj sipërfaqe. Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milion euro kjo është blere më pak se vlera e një garzonjere të shitur në atë zonë”

Propozimi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani

Gjithçka filloi me Ministrin e ekonomisë, Genc Rulin, i cili propozoi privatizimin e Kompleksit Parizani dhe në 14 nëntor 2005, Fatmir Mediu i dërgoi një përgjigje zyrtare duke pranuar kërkesë transferimin e impiantit të klubit Partizani tek individë privatë.

Një ndër emrat që shfaqet më shumë në çështje është ai i Jamarbër Malltezit, burri i Argita Berishës dhe dhëndri i kryeministrit. Fillimisht, pjesa e tij e pronësisë ishte vetëm 1/64-ta, por në fund të operacionit falë manovrave të tij dhe shperblimit të kërkuar nga trashëgimtarët e tjerë, në këmbim të mbështetjes ofruar nga Sali Berishës në të gjithë procedurën e privatizimit, Jamarber Malltezi fitoi 35% të të gjithë pronës.

Më pas, familja Begeja, e cila ka 27 trashëgimtarë fitoi kthimin e 26 mijë metrave katorë tokë falë një sërë vendimesh të Agjencisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të marra pjesërisht në vitin 1996 dhe pjesërisht në vitin 2007. Ky zhvillim u regjistrua në periudhën kur Sali Berisha ishte në pushtet dhe emëroi edhe kryetarin e Agjencisë, dhe për këtë arsye, kontrolloi plotësisht edhe vendimet e saj.

Nga ankesat publike të bëra vitet e fundit nga Partia Socialiste, përfshirë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste pretendohet se tokat që iu ishin kthyer ish-pronarëve ishin blerë nga shteti shqiptar në vitet ’40 dhe për këtë arsye ishin në pronësi publike. /Zoom.al