Aplikacion
Eldi Dizdari është vitet e fundit njeri më i përfolur brenda radhëve të grupeve të narkotrafikut. Ai qëndron prej katër vitesh në Dubai nga ku drejton operacione miliona eurosh të trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Gjendet nën arrest në Emiratet Arabe për shkak të një denoncimi për pengmarrje, por pa të drejtë ekstradimi në Shqipëri e të paktën tre shtete ku kërkohet apo është dënuar për narkotrafik.
Fillimisht u bë i njohur si bashkëshorti i ish-missit Suada Sherifi shtatë vite më parë. Më tej u zbuluan lidhjet e tij të errëta me botën e krimit.
Historia e tij nuk nis me të. Ai vjen nga një familje me origjina nga Tropoja, e cila ka përjetuar një prej konflikteve më të ashpra me familjen Haklaj.
Në vitin 1998 babai i tij Naim Dizdari dhe daja i tij, u vranë në pritë nga fisi i Haklajve. Pak kohë më vonë u vra po nga Haklajt dhe xhaxhai i tij Qazim Dizdari. Që nga ajo kohë Dizdari u largua nga Shqipëria. U shfaq disa vite më vonë, si një person që kishte lidhje me kartelet latine të kokainës.
Dizdari është gjithashtu dhe familjar me tregtarin e bananeve, Arbër Çekajn, i arrestuar dhe i dënuar për një sasi prej 613 kilogramësh kokainë, të kapura në Maminas në vitin 2017.
Në Shqipëri emri i tij doli sërish në media tek masakra në ish-Bllok, më 4 tetor 2018, ku nga përplasja e grupit te Ervis Martinajt me grupin e Ervin Matës mbeti i vrarë 1 person dhe u plagosën 3 të tjerë.
Përplasja dyshohet se ka ndodhur pikërisht për trafikun e drogës. Në vitin 2005 ai ishte shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur në ish -Bllok.
Dosja italiane/ Eldi Dizdari, kreu i “Kompania Bello”
Në një operacion antidrogë i shtrirë nga Ekuadori në Holandë, Spanjë, Itali, Shqipëri e deri në Dubai, rezultoi në goditjen e një karteli shqiptar të drogës dhe në arrestimin e Eldi Dizdarit.
U kodua nga italianet si “Kompania Bello” apo edhe “Los Blancos” (të bardhët), për shkak se krerët e organizatës së kokainës lidheshin apo martoheshin me ish-misse apo vajza bukuroshe të showbizz-it. Si kreu i grupit identifikohej Eldi Dizdari.
Dhjetëra shqiptarë të tjerë u arrestuan në të njëjtin operacion.
Eldi Dizdari arrestohet në Dubai në 2020, ku fshihej bashkë me shqiptarë të tjerë të botës së krimit.
Mediat vendëse citojnë Policinë e Dubait, sipas së cilës, shqiptari Dizdari, i kërkuar nga autoritetet italiane, u arrestua në kudër të operacionit të koduar “Los Blancos”.
Sipas dosjes italiane, karteli shqiptar rezulton i përfshirë në trafikimin e drogës dhe operacionet e kontrabandës midis Amerikës së Jugut dhe Europës, me një vlerë prej 350 milionë eurosh.
Por Dubai refuzoi kërkesën e Italisë për ekstradim, gjithashtu edhe të Shqipërisë, teksa Dizdari qëndron me liri të kufizuar atje, deri në një vendim të dytë. Italia pretendon se e ka dënuar për narkotrafik.
Martesa me ish-Miss Shqipëria dhe dyshimet
Bashkëshortja e tij Suada Sherifi, ish-Miss Shqipëria 2005, ka ndaluar çdo koment prej vitit 2018 e në vijim, duke hequr çdo foto apo reagim në lidhje me Dizdarin dhe familjen. media mësoi për “princin e saj të kaltër” vetëm pas vitit 2017, për jetën përrallore, që më pas rezultoi se sigurohej nga të ardhurat e Dizdarit nga aktiviteti i paligjshëm. Dyshimet u përforcuan pas ngjarjes në ish-Bllok.
Masakra në ish-Bllok, më 4 tetor 2018 dhe lidhja e Dizdarit
Masakra në ish-Bllok shpërtheu gjithçka rreth kartelit të fuqishëm, teksa Italia i kishte në kërkim prej kohësh. U tha se ishte përplasje mes grupit të Ervis Martinajt dhe atij të biznesmenit Ervin Mata. Ky i fundit, edhe i fejuari i këngëtares Elvana Gjata. Por shkaku apo “molla e sherrit” duket se ishte Eldi Dizdari. hetimet treguan se burri i ish-Miss Shqipëria u kryqëzua me Matën para lokalit “Monopol” në ish-Bllok dhe debatuan ashpër për një borxh të madh nga aktiviteti i kokainës në aksin Holandë-Itali-Shqipëri. Mata refuzonte t’ia kthente dhe Dizdari me makinën e tij luksoze shkoi disa metra më tej ku ndodhej Ervis Martinaj, duke i “qarë” hallin. Martinaj mbledh djemtë e tij duke i porositur në telefon të shkonin të përgatitur.
Mbrëmjen e 4 tetorit 2018 takimi për sqarim mes ish-shokëve denigroi në masakër. Martinaj i ka kërkuar Matës që të shlyente Dizdarin dhe aty ka ndërhyrë ushtari i tij Fabiol Gaxha, duke goditur me grusht komandion e Zall-Herrit, Mervjol Billo, që me miqtë e tij bënte truprojën e biznesmenit Mata, pasi në të njëjtën kohë ishte djali i dajës së Elvanës. Komando, i stërvitur mirë, arriti të gjente një “Glock”, duke shkrepur karikatorin në më pak se 5 sekonda.
Gaxha u vra në vend, Eljo hato mori 4 plumba dhe mbijetoi, kurse Martinaj një plumb pas qafe, por edhe ai mbijetoi pas mjekimit në spital. Nga hetimet rezultoi se në atë takim kishte shumë personazhe të krimit, të vrarë aktualisht, të arrestuar, zhdukur, përfshi Martinajn, apo në arrati dhe kërkim. Personazhe që SPAK tashmë i ka në dosjet e tij të bujshme si “SKY ECC”, “Revanshi”, Metamorfoza” apo “Plumbi i artë”. /ZOOM.AL/