zoom

Bota

Historia e bosit të kartelit “Fito”, që zhyti në kaos të gjithë Ekuadorin

José Adolfo Macías, i njohur gjerësisht si ‘Fito’ është personi që e zhyti Ekuadorin në një krizë kombëtare duke u arratisur të dielën nga burgu.

Sipas mediave britanike ai është kreu i një prej grupeve të drogës më famëkeq në Amerikën Latine, të cilin e ka drejtuar nga pas hekurave.

44-vjeçari është lideri i kartelit Los Choneros i cili deri në vitet e fundit ishte pa dyshim banda më e madhe dhe më e frikshme e Ekuadorit, e akuzuar për vrasje dhe trafik droge.

Pavarësisht se ishte në burg që nga viti 2011, 44-vjeçari mori drejtimin e kartelit në vitin 2020 dhe që atëherë ka koordinuar aktivitetet e tij nga brenda “bunkerit të tij privat”.

Kjo ndodhi deri të dielën kur u zbulua se ishte arratisur. Zhdukja e tij bëri që presidenti ekuadorian Daniel Noboa të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtetrrethimin, ndërsa autoritetet nisën gjuetinë për kriminelin.

Sakaq, kriminelë të shumtë ekuadorianë lëshuan një valë dhune hakmarrëse në të gjithë vendin duke sulmuar një stacion televiziv, ekzekutuar policië dhe roje burgu dhe kërcënuan se do të ekzekutonin civilët në vend nëse i shihnin në rrugë gjatë natës.

Në një përshkallëzim të mëtejshëm, Noboa urdhëroi operacione ushtarake për të ‘neutralizuar’ bandat kriminale, pasi vendi shpërtheu në atë që ai e quajti një ‘konflikt të armatosur të brendshëm’. /ZOOM.AL/