zoom

In Zoom

Hilja e Erion Veliajt për monopolin e dherave për Inceneratorin e Tiranës

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi bëri publik një skandal në dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët.

“Me një vendim që nuk e dimë, një vendim që nuk ekziston, nga bashkia detyrohen ndërtuesit që të lidhin një marrëveshje të veçantë me përfaqësuesit e landfillit dhe  duhet të paguajmë për të gjitha llojet e dherave që gërmojmë, një taksë sikur këto janë mbetje inertesh”- dëshmoi ai.

Tarifa që çdo ndërtues paguan për dherat është 350 lekë/ton. Aleksi tha ata detyrohen të paguajnë edhe kur dherat u duhen t’i përdorin për lulishte.

Por çfarë konsiderohet skandaloze në këtë çështje, është fakti se ky aktivitet është monopol, në mos i mirtuar, i krijuar nga Bashkia e Tiranës.

Landfilli i Sharres, inceneratori i Tiranes

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet sot në Komisionin Hetimor nëse Bashkia kishte miratuar tarifa për dherat. Ai tha se nuk ishte e nevojshme dhe se e gjithë çështja kishte të bënte me marrëveshje mes dy privatëve – ndërtuesve dhe inceneratorit.

Në këtë mënyrë ai hoqi çdo përgjegjësi për këtë monopol.

“…në fakt ata na detyrojmë të shkojmë të bëjmë marrëveshje me landfillin”- tha Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve në Komisionin Hetimor.

Pretendimi se ndërtuesit janë të detyruar të bëjnë marrëveshje me inceneratorin nuk mund të provohet me shkresa e vendime, pasi, sipas si Veliaj ashtu edhe ndërtuesit thonë se ato nuk ekzistojnë.

Por vetë fakti se Bashkia ka përcaktuar inceneratorin si të vetmin vend ku ndërtuesit e gjithë Tiranës mund të hedhin dherat dhe inertet, është provë se ata janë të detyruar nga Bashkia për të bërë marrëveshje me kompaninë e Klodian Zotos, i shpallur në kërkim për inceneratorin e Elbasanit.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj i ka dhënë në këtë mënyrë monopolin inceneratorit të Tiranës për depozitimin e dherave. Duke qenë i vetmi vend ku lejohet hedhja e plehrave, kompania “Integrated Energy” është në kushtet që mund të vendosë vetë tarifat që dëshiron.

Kur ndërtuesit ankohen në Bashki, ajo i përplas sërish te inceneratori.

“I kemi kërkuar sqarim (bashkisë), por ata bënë të paditurin, na thanë se dhe ne si ju jemi klientë të kompanisë konçensionare”, tha Luigj Aleksi.

Inceneratori i Tiranes

Lënia e vetëm një vendi për grumbullimin  e dherave dhe lënia në dorë të inceneratorit për të vendosur çmimet përbën një rast skandaloz.

Në situatë të tillë monopoliste, jashtë çdo kontrolli të Bashkisë, inceneratori mund të shumëfishojë tarifat si për depozitimin ashtu edhe për shitjen e dherave, sa herë ta shohë të nevojshme, pa qenë i detyruar t’i japë llogari asnjë institucioni.

Kjo situatë nuk do të kishte ndodhur nëse Bashkia e Tiranës do të kishte siguruar një tjetër vend për grumbullimin e dherave, pasi do t’i kishte hapur rrugë konkurrencës.

Dhe në këtë situatë, nuk është më “marrëdhënie mes privatëve”, por një hile e Bashkisë për t’i përplasur ndërtuesit te inceneratori, një mekanizëm perfekt për të çuar miliona euro në xhepat e kompanisë koncesionare të inceneratorit. “Janë 45 milionë euro punë” tha Jorida Tabaku, shuma të cilat i përfiton kompania e të shpallurit në kërkim Klodian Zoto. /Zoom.al

 

Postime të lidhura