zoom

In Zoom

Cfarë zbuloi Erion Veliaj në SMS-të e Andi Bushatit, Andi Telës dhe Desada Metajt

Erion Veliajt iu duk sikur i erdhi zogu në dorë kur disa kamera të kuvendit fiksuan telefonin e gazetares Desada Metaj teksa po shkëmbente SMS me dy gazetarët e tjerë, Andi Bushati të Lapsi.al dhe Andi Tela të ABC News. (Lexo këtu SMS-të)

Ata i sugjeronin Metajt, e cila ka qenë e angazhuar në PD si konsulente mediatike dhe tani është zgjedhur anëtare e AMA-s, që kryetarja e Komisionit Parlamentar të ngritur për të hetuar aferën e inceneratorëve, të bëntë pyetje koncize e të mos binte pre e provokimeve të Veliajt. I thonin që zhurma i intereson vetëm Veliajt. 

I zënë ngushtë nga pyetjet dhe provat me të cilat e përballën Jorida Tabaku e Belind Këlliçi, Erion Veliaj e shfrytëzoi këtë rast menjëherë. Atij i kishin ardhur fotografitë e telefonit të Metajt dhe nuk u mendua dy herë për ta bërë publik këtë fakt. 

Por ajo që iu duk si ndihmë për të dalë nga sikleti që po përjetonte, iu kthye shumë shpejt në një tjetër hall. 

Jorida Tabaku zbuloi se si kamerat e Kuvendit ishin vënë në shërbim të tij. Por zbulimi më i hidhur për Veliajn ishte të shihte se si gazetarë që nuk kanë shfaqur ndonjëherë tendenca të anësisë politike të bëheshin bashkë në mënyrë të pakoordinuar. 

Ai pa se si nga redaksi të ndryshme, drejtuesit e tyre, këshillonin kolegen e tyre se si mund të vihej me shpatulla pas muri një njeri që akuzohet për një aferë multimilionere. 

Ai kuptoi se edhe këta gazetarë mendojnë njësoj si PD, se Erion Veliaj ka shkelur ligjin, edhe pse nuk janë mbështetës të PD, madje janë kritikë të saj. 

Dhe Bushati e Tela nuk ishin të vetmit gazetarë që i shkruanin Desada Metajt mbi strategjinë që duhet të ndiqte kryetarja e Komisonit për t’i faktuar Erion Veliajt se kishte marrë vendime që nuk i takonin, që kishte firmosur shkresa që nuk duhej, që e kishte rënduar buxhetin e Tiranës me 91 milionë euro, se i kishte dhënë Klodian Zotos monopolin e inerteve dhe dherave të të gjithë bashkisë së Tiranës – një aferë 45 milionë eurosh. 

Ky ishte zbulimi që kuptoi me vonesë Erion Veliaj edhe pse portalet e kontrolluara prej tij shpejtuan të nxirrnin si skandal faktin që Metaj po merrte sugjerime nga kolegët e saj për mënyrën se si duhej trajtuar kryetari i Bashkisë përballë një afere kaq të madhe korrupsioni. /Zoom.al