zoom

Bota

Hidhet në erë baza e përdorur prej vitesh në Kabul

Zyrtarë amerikanë thanë se një shpërthim i kontrolluar, që u dëgjua në të gjithë Kabulin ka shkatërruar Bazën Eagle të CIA-s, një postë jashtë aeroportit të kryqytetit afgan.

Shpërthimi i bazës kishte për qëllim të siguronte që çdo pajisje, ose informacion i lënë pas nuk do të binte në duart e talebanëve.

Baza Eagle u hap gjatë viteve të luftës me talebanët në një ish-fabrikë tullash. Ajo u zgjerua nga një zyrë e fshehtë e vogël në një qendër të gjerë që u përdor për të trajnuar forcat kundër terrorizmit të agjencive të inteligjencës afgane.

Ato forca ishin disa nga të vetmet që vazhduan të luftonin ndërsa qeveria u rrëzua, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve.

“Ishin një njësi e jashtëzakonshme” tha Mick Mulroy, një ish-agjent i CIA-s që shërbeu në Afganistan. “Ata ishin një nga mjetet kryesore që qeveria afgane ka përdorur ndër vite kundër talebanëve. Ishin rezistenca e fundit dhe pësuan humbje të mëdha”, vijoi ai.

Afganët vendas dinin pak për bazën. Kompleksi ishte jashtëzakonisht i sigurt dhe i projektuar për të qenë i pamundur të depërtohej. Muret që arrijnë 10 metra të lartë rrethojnë vendin dhe një portë metalike e trashë në gjendje t’u rezistonte edhe goditjeve me antitank.