zoom

In Zoom

Hetimet për privatizimet e pronave të ushtrisë, SPAK vendos në sekuestro bazën detare në Sarandë

SPAK vendos në sekuestro preventive bazën detare në Sarandë.

Vendimi lidhet me denoncimin e Artur Meçollarit për privatizimin e pronave të ushtrisë dhe vendimi është marrë për të mos lejuar tjetërsimin e pronës.

Për këtë çështje ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputet i PS-së, Bardhyl Kollçaku eshte paraqitur ne SPAK dhe është marrë në pyetje bashkë me Artur Meçollarin, denoncuesin e tij.

Ish -zëvendës shefi i forcave detare, ka akuzuar në mars të 2021 të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë edhe ministren e Mbrojtjes aso kohe, Olta Xhaçka, Presidentin Bajram Begaj dhe Kollçakun.

Një thirrje nga Prokuroria sot e ka marrë dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Xhaçka në cilësinë e personit që ka pasur dijeni për ngjarjen.

Denoncimi nga ana e Meçollarit u bë për dy prona, një në Shëngjin dhe një në Sarandë të cilat sipas tij janë dhënë pa leje për një konsorcium privat, për të ndërtuar me koncesion për 35 vjet Marinën e Limionit.

MARINA LIMION, KONCESIONI I “KASTRATI DHE EDIL-AL-IT”

Dy kompani shqiptare, “Kastrati Group” sh.a. dhe “Edil-Al-It” sh.p.k. paraqitën në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë një Propozim të Pakërkuar për Ndërtimin dhe Operimin e një Marine Turistike, në Portin e Limionit, në Sarandë.

Procedura u zhvillua me një garë të hapur dhe një njoftim u publikua në faqen zyrtare të APP-së, ku u publikuan edhe të gjitha dokumentat e garës.

Por edhe pse gara qe e hapur, në të mori pjesë vetëm bashkimi i dy operatorëve. Më 1 korrik 2022 qeveria miratoi me VKM numër 515 Kontratën e Koncesionit.

Thuajse në të njëjtën periudhë, një bashkim tjetër operatorësh, Kastrati Group dhe Concord Investment shpk, që kanë të njëjtët përfitues fundorë, aplikoi për marrjen me qira të një sipërfaqe toke shtetërore rreth 265 hektarë po në portin e Limionit. Aplikimi u miratu dhe 265 hektarë iu dhanë këtij bashkimi operatorësh me vlerën 1 euro, me një kontratë mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkimit të Shoqërive.

Kjo Kontratë u miratua me VKM Nr. 514, datë 1.7.2020,

PADIA 

Sipas dy padive të Meçollarit, Xhaçka dhe Begaj kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë lejuar ndërhyrje në disa prona të veçanta për të cilat duhet marrë më parë miratimi i Presidentit të Republikës.

Pronat në fjalë, sipas Meçollarit, janë pjesë e strukturës dhe kërkesave operacionale të Forcës Detare dhe çdo ndryshim i tyre bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti. /Zoom.al