zoom

Aktualitet

Hedhja e 10 mijë lekëshit në treg, Sejko: Janë rritur rrogat

Para dy ditësh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko prezantoi dy prerje të reja të kartëmonedhave, 1.000 lekëshe dhe 10.000 lekëshe. Theksojmë se prerja 10 mijëshe është më e madhja deri më sot në vendin tonë. Kartmonedhat e reja do të dalin në treg duke nisur nga 30 qershori. Por një pyetje që shtrohet natyrshëm ka të bëjë pikërisht me faktin se përse BSH vendosi që në këtë moment të hedhë në treg prerjet e reja. Në lidhje me këtë foli vetë Guvernatori Sejko, në një studio televizive, ku tha se ky vendim është marrë 9 vite më parë dhe se aktualisht janë rritur rrogat. Ndërkohë që realiteti dëshmon komplet të kundërtën, pasi shumë shqiptarë jo vetëm nuk kanë parë rritje rroge, por ka prej tyre që s’po gjejnë dot punë.
Vendimi për hedhjen e kësaj kartëmonedhe është marrë 9 vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe është elaboruar i gjithë procesi, që është i gjatë. Ne kemi rishikuar të gjithë kartëmonedhat tona. Kjo prerje mund të ishte hedhur edhe më herët. Për ekonominë në këtë moment kjo prerje i përgjigjet nivelit të çmimeve dhe të pagave, të rritjes së çmimeve dhe pagave, rritjes. Prerja më e madhe që kemi pasur ka qenë, 5 mijë lekë, pjesë e emisionit të vitit ’96, nga ‘96 pagat dhe çmimet në Shqipëri janë rritur me disa herë mbi 5 herë dhe një prerje e tillë do i përgjigjej nevojës së ekonomisë. Kjo prerje i shërben edhe BSH për një mirë-administrim qoftë për stokun e parasë dhe rezervave” tha ai, ndërsa mori edhe një shembull konkret “Po ta thjeshtoj, edhe ju, edhe neve, nëse nga pikëpamja praktike, nëse do të shkonim me pushime në një vend të bukur të Shqipërisë do të kishim një lehtësi, pra për të shpenzuar një sasi të caktuar parash, nëpërmjet prerjes së re do të na lehtësohej portofoli dhe do të kryenim të njëjtin funksion financiar me një sasi më të vogël paraje në qarkullim.