zoom

Aktualitet

Hajduti doli nga dera kryesore! Vlorë, vidhen dosje në zyrat e administrimit të tokës

Zyra e Administrimit të Tokës në pallatin e Kulturës në Vlorë ka rënë pre e vjedhjes pak para mesnatës së djeshme. Policia bën me dije se një person i paidentifikuar ka vjedhur me thyerje disa dokumente. Tashmë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.

Bardhi Gjika, drejtori i kësaj zyre tregon se hajduti është futur nga dera dritarja e zyrës së zëdhënësit dhe ka dalë nga dera kryesore pasi ka thyer dyert e dy zyrave, asaj të pronës dhe të mbrojtjes së tokës. Ai dyshohet të ketë qenë i maskuar dhe i armatosur.

Gjika thekson se sinjali për këtë vjedhje është dhënë nga roja e godinës. Tashmë ka nisur procesi i inventarit për të parë se çfarë ka marrë hajduti që është futur në godinë ndërsa do të këqyren dhe kamerat e sigurisë për të bërë të mundur identifikimin e tij.

“Rreth mesnatës jam njoftuar që kanë hapur zyrat. Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat. Zyrat e pronave. Gjeta policinë dhe rojet. Po bëjmë një inventar për të parë se çfarë mungon. Është hapur edhe zyra e drejtorisë dhe administrimit të mbrojtjes së tokës. Nuk kemi për të thënë vjedhje dosjesh sa të mësojmë.

Nëse ka humbur një dokument. Monitorohet nga kamerat. Roja e ka konstatuar dhe ka njoftuar. Ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pastaj ka dalë nga dera kryesore”, shprehet Bardhi Gjika.