zoom

Ekonomi

Guvernatori Sejko thekson se është problem rritja e investimeve në ndërtim. “Nuk ka konkurrencë”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në konferencën shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Fakulteti i Ekonomisë, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Universitetit të Tiranës.

Në analizën e zhvillimeve ekonomike të dekadave të fundit, Guvernatori vuri në dukje problemet që ka sjellë modeli ekonomik i mbështetur kryesisht tek konsumi dhe te një mbialokim i investimeve në sektorin e ndërtimit.

“Ky model inkurajoi një strukturë ekonomike jokonkurruese. Ai rezultoi në mbialokim të resurseve ekonomike dhe financiare në sektorin e ndërtimit dhe në rritje të pajustifikuar të çmimeve të aseteve. Përballja me realitetin pas dy krizave të shkuara financiare solli njohjen e rolit të reformave strukturore, si promotori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë të vendit, por kërkoi dhe kohë për marrjen e fryteve të tyre. Gjithashtu, nga këndvështrimi i bankës qendrore, ai solli në vëmendje rolin e madh që kanë çmimet e aseteve si tregues të zhbalancimeve ekonomike, implikimet e tyre për stabilitetin financiar, si dhe kohën e gjatë që kërkon adresimi i tyre,” tha Sejko.

Sektori i pasurive të paluajtshme në vitet e fundit po shënon një tjetër cikël rritjeje të shpejtë, të shoqëruar me përqendrim të madh të investimeve dhe rritje të çmimeve. Referenca e Guvernatorit në modelin e ngjashëm ekonomik të viteve 2000 tregon se rikthimi i një modeli të ngjashëm mund të ketë implikime negative në perspektivat ekonomike të vendit.

Në fjalën e tij, Sejko vuri në dukje se eksperiencat e fundit kanë treguar gjithashtu 12e politika fiskale ka një rol të pazëvendësueshëm në përballimin e goditjeve të forta ekonomike e financiare.

“Pavarësisht fuqisë dhe kompleksitetit të instrumenteve që disponon banka qendrore, ajo nuk mund të përballojë e vetme dhe me efikasitet të plotë, goditjet me të cilat përballen ekonomitë e vogla dhe të hapura. Për këtë arsye, shëndeti i financave publike duhet parë si një tregues i rëndësishëm i aftësisë së vendit për përballimin e krizave,” tha Sejko.

Lidhur me sfidën e re madhore të rritjes së çmimeve, ai tha se lufta në Ukrainë ka sjellë një rritje të shpejtë të inflacionit kudo në botë dhe vuri në dukje gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për t’iu përgjigjur në vijimësi kësaj tendence.

“Në përgjigje të tij, Banka e Shqipërisë ndërmori një hap të parë drejt normalizimit të politikës monetare në muajin mars, duke rritur me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Në të njëjtën kohë, ne kemi sinjalizuar vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë çdo masë monetare të nevojshme për të shmangur transmetimin e kësaj goditjeje në pritje për inflacion të lartë në të ardhmen. Komunikimi ynë transparent i ka shërbyer qartësimit të publikut mbi kahun e veprimit të politikës monetare dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin në tregjet financiare,” u shpreh ai.