zoom

Bota

Greqia “vuan” nga zjarret, betejë e vështirë nga toka dhe ajri

Një ditë pasi u duk se u vendosën nën kontroll, flakët kanë shpërthyer sërish në Greqi.

Qindra zjarrfikës grekë së bashku me forcat europiane e shqiptare, të ndihmuar edhe nga ajri, po luftojnë me flakët në tre vatra kryesore, dy prej të cilave janë ndezur që prej javës së kaluar.

Një vatër masive ka përfshirë pjesën verilindore të vendit në Evros dhe Aleksandropoli në afërsi të kufirit me Turqinë. Në të njëjtën zonë mbetën të djegur edhe 20 emigrantë disa ditë më parë.

Zjarret, që konsiderohen si më të mëdhatë ndonjëherë në vendet e Europës, përveç sipërfaqeve të mëdha pyjore kanë shkrumbuar qindra banesa në zonat periferike të qytetit. Gjatë 24 orëve të fundit, në këtë rajon janë evakuuar edhe dy fshatra të tjerë.

Gjithashtu në skajin veriperëndimor të Athinës një tjetër zjarr i madh po djeg banesa dhe sipërfaqe të mëdha nga parku kombëtar në malin Parnithë. 260 zjarrfikës, një avion dhe tre helikopterë janë aktivizuar në këtë zonë në përpjekje për shuarjen e flakëve.

Problematike është paraqitur situata edhe në ishullin e Andros në lindje të Athinës, ku vatra e parë e cila dyshohet se u ndez nga një rrufe, u shënua të shtunën. 73 zjarrfikës, dy aeroplanë dhe dy helikopterë po vijojnë betejën me flakët.

Shkaqet e zjarreve në Greqi nuk janë përcaktuar ende megjithatë në shumë raste, përgjegjës kanë qenë vetë banorët. Zjarre të ndezura qëllimisht ose jo, të ndihmuar nga thatësira, temperaturat e larta dhe erërat kanë dalë jashtë kontrollit. Deri më tani autoritetet greke kanë arrestuar më shumë se 160 persona.