zoom

Aktualitet

Gjithë jetën iu përkushtua arsimit të lartë, ndahet nga jeta pedagogu Vehbi Hoti

Pedagogu shkodran, Prof. Dr. Vehbi Hoti u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Vehbi Hoti ishte një Profesor Emeritus, i cili i dha kontribut përreth gjysmë shekulli në shërbim të arsimit të lartë. Ai diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës, në Degën Biologji-Kimi.

Për periudha të shkurtra ka punuar në ish-Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe më pas pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës nga 1966-2013, në lëndët Psikologji-Pedagogji.

Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror.

Për punën dhe kontributin e dhënë në shoqëri, ai është vlerësuar me tituj si “Mësues i Merituar” dhe “Urdhrin Naim Frashëri të Artë”. Për kontributin e dhënë në strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 1994 familjes së tij iu njoh merita në listën Yad Vashem të “Të Drejtëve mes Kombeve.” Universiteti i Shkodrës e ka vlerësuar Hotin me titullin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa Senati i Universitetit të Shkodrës e nderoi me titullin “Professor Emeritus” me rastin e daljes në pension më 2013.