zoom

Aktualitet

Gjermania dhe Greqia sjellin në pranga 2 të akuzuar për narkotrafik. Njëri mbushi Europën me drogë

Dy persona të shumëkërkuar nga Interpol Tirana, të akuzuar si bashkëpunëtorë në trafikimin e sasive të mëdhaja të lëndëve narkotike, u ekstraduan sot nga Gjermania dhe Greqia, në aeroportin e Rinasit.

Aksioni u krye në sekret dhe si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre.

“Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, u ekstradua shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 28.06.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi E. D. akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdhaja droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kurse në bashkëpunim me Interpol Athinën, u ekstradua shtetasi V. H., alias V. H., 43 vjeç, banues në Tiranë. “Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës se Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 24.07.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Ai akuzohet se më datë 30.03.2018, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë”, përfundon njoftimi. /ZOOM.AL/