zoom

Aktualitet

Gazeta BILD: Shqipëria, narkoshteti para derës sonë! Mafia e kokainës ka lidhje me politikën…

Dyshime për lidhjen e organizatave kriminale të narkotrafikut me politikën qeverisëse jo vetëm nga media italiane, por edhe ajo gjermane.

Gazeta më e madhe gjermane, BILD, publikoi një tjetër artikull të bujshëm për qeverisjen socialiste të Edi Ramës.

Këtë herë, në faqe të parë, gazeta publikon një artikull me titull: “Shqipëria, narkoshteti para derës sonë”.

Shkrimi vjen si vazhdim i një hetimi ekskluziv që ka bërë gazeta BILD për “lumenjtë” e kokainës në Gjermani, por edhe referuar zhvillimeve politike në vend, ku kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar publikisht vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama, për lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë më 2014 dhe që ka lidhje pikërisht me Gjermaninë.

Gazeta theksin se Gjermania është përmbytur me kokainë si kurrë më parë. “Gjithmonë në fokus është Shqipëria”, thekson gazeta. Sipas saj vendi është epiqendra e mafies evropiane të kokainës.

Vetë ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser paralajmëron në BILD se bandat shqiptare po përmbysin tregun e drogës në Gjermani. “Krimi i organizuar shqiptar me lidhjet e tij në Amerikën e Jugut është veçanërisht në fokus të hetuesve,” tha ministrja.

Gazeta shkruan se vrasjet mafioze në Shqipëri janë një realitet i përditshëm. Vetëm në vitin 2021 u regjistruan 100 vrasje të tilla.

“Problemi është se mafia e drogës ka lidhje deri në nivelet më të larta politike në Shqipëri”, shkruan gazeta. /ZOOM.AL/